Kosovë, Qeveria miraton pr/buxhetin

31/10/2015 13:25

Pas shumë diskutimeve të gjata dhe mospajtimeve të disa ministrave, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2016 dhe e ka proceduar për në Kuvend.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i lartë dhe është koordinuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Të ardhurat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar në masë prej 1 miliardë e 598 milionë euro që përfaqëson një rritje prej 4.1 përqind në raport me buxhetin e rishikuar për këtë vit dhe rreth 19 përqind më të lartë se sa buxheti i realizuar për vitin e kaluar. Të hyrat nga tatimet vendore dhe ato doganore do të rriten në 8.8 përqind dhe 6.2 përqind respektivisht”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave

Për ndarjet buxhetore nëpër sektorë të ndryshëm pati reagime nga disa ministra, por më i zëshmi ishte ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi, i cili tha se me shkurtimin buxhetor nuk mund të realizohet programi qeveritar.

“Realisht është edhe pak më i vogël se sa një version i kaluar i buxhetit të cilin ne e kemi diskutuar. Janë 3 milionë euro në total që janë më pak, por që shqetësimi mund të konsistojë kryesisht te pjesa e buxhetit për grante dhe subvencione, për mes të cilit Ministria e Bujqësisë në emër të Qeverisë implementon masat mbështetëse për fermerët dhe në këtë rast ne kemi vetëm 46 milionë euro, të cilat nuk krijojnë hapësirë për të rritur mbështetjen në vitin 2016”, deklaroi Krasniqi.

Pasi dëgjoi kritikat e ministrave, kryeministri Isa Mustafa i ftoi ata që ta votojnë projektbuxhetin, pasi sipas tij, gjatë diskutimeve në Kuvend dhe rishikimit, mund të bëhen ndryshime dhe plotësime për ndonjë kërkesë.

 “Tash mund të zhvillojmë një diskutim të gjatë për këtë, mirëpo objektivisht mjetet me të cilat ne disponojmë janë ato që i kemi si të hyra të buxhetit për vitin 2016. Ato mjete mund t’i shpenzojmë ashtu si është. Ky buxhet nuk është një zgjidhje ideale për të gjitha Ministritë dhe për të gjitha nevojat tona, agjencitë dhe Kuvendin, mirëpo duhet të kemi mirëkuptim dhe të pranojmë gjendjen reale të cilën e kemi”, u shpreh Mustfa.

Në këtë mbledhje të kabinetit qeveritar janë miratuar edhe disa projektligje tjera dhe raporti nëntëmujor i buxhetit të këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA