Pas konferencës së liderëve të partive opozitare, të cilët nuk përfillën kërkesën e sigurisë së Kuvendit për të mos futur dosjet e peticionit në ambjentet e këtij institucioni, pasditen e së shtunës ka reaguar zyra e kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Këshilltarja e tij, Dhurata Hoxha tha për Top Channel se partitë opozitare vazhdojnë të shkelin ligjet e Kosovës, të mos respektojnë rregulloren e punës së Kuvendit dhe as procedurat ligjore të procedimit të dokumenteve.
“Që një peticion të konsiderohet i vlefshëm apo zyrtar, paraprakisht duhet të paraqitet kërkesa në adresë të zyrës për parashtrsa të Kuvendit dhe kur kjo zyrë e pranon peticionin, atëherë e dërgon për konfirmim në komisionin parlamentar për barazi gjinore, peticione, ankesa dhe të drejta të njeriut. Pra, opozita nuk e ka përfillur këtë procedurë ligjore”, deklaroi Hoxha.
Këshilltarja e kryeparlamentarit tha gjithashtu se opozita ka shkelur rregulloren e Kuvendit sa i përket qasjes së mediave dhe publikut.
“Rregulla 22 e rregullores së Kuvendit, në pikën 4 e thotë në mënyrë shumë të qartë se: “në ditët e fundjavës dhe në ditët e festave, mediat mund të kenë qasje në hapësirat e Kuvendit vetëm me njoftim paraprak të zyrës së shtypit të këtij institucioni”. Dhe kjo zyrë nuk është njoftuar as paraprakisht”, theksoi Hoxha.
Një shkelje tjetër që sipas saj ka ndodhur sot ka qenë ajo e rregullit numër 11 të rregullores së Kuvendit, ku thuhet se deputeti mund të organizojë konferencë për shtyp në hapësirat e grupit parlamentar përkatës dhe jo në hollin e Kuvendit, “siç ishte rasti sot”.
Hoxha tha se deputetëve u lejohet qasja në Kuvend në çdo kohë, por duke respektuar ligjet dhe rregulloret. Ajo shtoi se hyrja me forcë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, duke mos përfillur dhe penguar fizikisht stafin e sigurimit të Kuvendit është cënimi tjetër që opozita u ka bërë sot ligjeve të Republikës së Kosovës.
Top Channel