Rëndësia e reformës në drejtësi është theksuar edhe njëherë tjetër nga Knut Fleckenstein, raportues i Shqipërisë në Parlamentin Europian. Në një intervistë dhënë për DW, eurodeputeti thotë se reforma në drejtësi duhet të garantojë shtet ligjor, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit duke tërhequr më shumë investime.
Pak ditë më parë, Fleckenstein ishte në një vizitë në Tiranë, ku u takua me udhëheqësit më të lartë shtetërorë dhe politikë në vend.
“Diskutova mbi ecurinë e reformës në drejtësi me kryeministrin, me disa përfaqësues të tjerë të qeverisë, përfshirë ministrin e Brendshëm, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe shefin e opozitës. Në këtë kuadër folëm dhe rreth faktit se si kjo reformë do të ndikojë pozitivisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë për DW, Knut Fleckenstein.
Sfidë brenda kësaj reforme, Fleckenstein sheh atë në gjyqësor.
“Një reformë e suksesshme në gjyqësor do të kërkojë vite për t’u zbatuar plotësisht. Ajo që është më e rëndësishme është që qytetarët shqiptarë të jenë në gjendje që të ndjejnë ndryshime pozitive në jetën e tyre të përditshme. Në të vërtetë, nuk mund ta kuptoj sesi Shqipëria do të mund të bindë 28 vendet e tanishme anëtare të BE-së që të bëhet anëtari i 29, nëse nuk do do të ketë një gjyqësor funksional, pa ndikimin e korrupsionit dhe të politikës dhe që të garantojë sundimin e ligjit në vend”, thotë ai.
Raportuesi i PE-së nënvizon faktin se plotësimi i pesë prioriteteve të përcaktuara nga BE për Shqipërinë, është faktor kyç për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
“Së shpejti do të përgatis një raport tjetër për kolegët e mi në Komitetin e Punëve të Jashtme në Parlament mbi progresin e vendit në të ashtuquajturat prioritetet kyçe. Këto prioritete duhet të plotësohen para se vendi të mund të hapë negociatat për pranimin në BE”, nënvizon ai.
Lidhur me ecurinë e deritanishme, Fleckenstein përdor termin “përparim i qëndrueshëm”.
“Nga përvoja personale, por dhe nga bisedimet e javës së kaluar me përfaqësues të qeverisë, politikanë të opozitës, kolegë nga Parlamenti, si dhe nga shoqëria civile, kam përshtypjen se Shqipëria po bën përparim të qëndrueshëm”, thotë Fleckenstein.
Një tjetër çështje ku politika shqiptare po harxhon shumë energji për të gjetur kompromisin është dekriminalizimi, për të cilin Fleckenstein thotë se palët janë pranë gjetjes së një ujdie.
“Unë jam i informuar se një projekt-marrëveshje mbi të ashtuquajturin “dekriminalizimin” është përgatitur dhe unë kam përshtypjen se partitë politike janë shumë afër për të rënë dakord mbi të”, vlerëson Fleckenstein.
Nisur nga polarizimi i thellë i politikës së fundmi, Fleckenstein përjashton mundësinë që Shqipëria të përfshihet nga spirale tensioni si vendet fqinje, nënkuptuar këtu Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në fund, mesazhi i eurodeputetit për klasën politike shqiptare është vijimi i reformave.
“Është përgjegjësi e të gjithëve, qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile, për të ndihmuar në realizimin me sukses të reformave”, mbyll intervistën e tij për DW, raportuesi i Shqipërisë në PE.
Top Channel