‘Askush nuk mendon shkarkimin’, por Allegri ka 8 ditë kohë

30/10/2015 12:30

“Askush nuk mendon për shkarkimin e Allegri-t”. Kjo është fjalia e përsëritur më së shpeshti në “Galileo Ferraris”. Në fakt, gjëja e fundit që kanë lënë të kuptohet drejtuesit e Juventusit në këto momente, të paktën publikisht, është shkarkimi i trajnerit, por 12 pikë në 10 javë kampionat, janë shumë pak për një skuadër që pretendon titullin kampion.

Nisur nga kjo, në korridoret bardhezi qarkullojnë zëra se drejtuesit e Juventusit, të mbledhur me urgjencë pas humbjes së mesjavës në transfertën ndaj Sassuolo-s i kanë dhënë tetë ditë kohë trajnerit Allegri.

Bëhet fjalë për tetë ditë dhe tre ndeshje, ku kërkohen pikët maksimale. Ndeshja e parë është ajo në derbin ndaj Torinos në fundjavë, më pas transfeta në Gjermani ndaj Borusia Monchengalbach dhe sfida ndaj Empolit në Serinë A.

Presioni ndaj skuadrës është i madh dhe kjo vihet re edhe në deklaratat e atyre që njihen si “Senatorë”. Buffon doli para mediave pas humbjes ndaj Sassuolo-s dhe fajësoi për humbjen nënvlerësimin që pjesa më e madhe e skuadrës i kishte bërë kundërshtarit. Sipas tij, pak e kuptuan se në atë transfertë po luhej njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.

Drejtuesit e Juventusit kërkojnë kthimin tek rezultatet pozitive sa më parë, të përqendruar më shumë në një tjetër objektiv nga ai i fillimit të sezonit. Tashmë ka nisur të flitet gjithmonë e më pak për titullin kampion dhe më shumë për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm dhe mosarritja e një vendi të tretë në Serinë A, do të ishte një goditje e rëndë për financat e klubit.

Top Channel