Kryeministri Edi Rama, për herë të parë pas samitit europian për krizën e refugjatëve sirianë, raportoi përpara Parlamentit rolin që do të marrë Shqipëria në këtë angazhim europian.
“Është kërkuar disponibiliteti i vendeve të rajonit për të pranuar sistemin e mosshfryrjes së menjëhershme të refugjatëve në vendin tjetër, përgjatë korridorit ku – siç e dini, – Shqipëria nuk bën pjesë. Shqipëria deri më tani nuk është e prekur dhe gjasat janë që edhe mund të mos preket, pavarësisht se me ardhjen e dimrit ekziston një skenar i UNCHR-së, që fluksi mund të ngecë në Ballkan dhe po ashtu këtë mund ta bëjë më të pranishme shtrëngesa, që vetvetiu do të vijë qoftë nga ana e Gjermanisë, ashtu dhe nga ajo e Austrisë. Shqipëria është e gatshme të përfshihet në të gjithë programin e BE-së dhe në një projekt të qartë, që në epiqendrën e vetë ka Gjermaninë dhe Austrinë”, tha Rama.
Por, kryeministri nuk dha detaje se, sa do të jetë numri i refugjatëve që Shqipëria është e gatshme të prese, përfshi koston finaciare, apo mbështetjen që mund të ofrojë Bashkimi Europian për këtë qëllim.
Referuar çështjes së azilkërkuesve, kryeministri Edi Rama theksoi dhe njëherë se shqiptarët që shkojnë drejt Gjermanisë nuk janë vetëm shqiptarë nga Shqipëria, por emigrantë shqiptarë në Greqi. Në foltoren e Kuvendit, kryeministri sqaroi edhe disa akuza të fundit për mazhorancën. Referuar votës në OKB për heqjen e embargos së Kubës, Rama tha se kjo është një rezolutë që kalon çdo sesion, vit pas viti në OKB, dhe se Shqipëria ka votuar gjithmonë njësoj.
Top Channel