PD: Ekonomia në tatëpjetë; Rama: Rënia në Doing Business, e rikuperueshme

29/10/2015 12:40

Situata ekonomike ka qenë në fokus të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë këtë të enjte, me Partinë Demokratike që ka akuzuar qeverinë për gjendjen e rëndë.

“Sot dëgjojmë në Kuvend se për çdo problem që ka sot vendi, fajin e paska qeveria e kaluar. Lërini këto sepse nuk shkojnë. Merrni masa, rregullojini gjërat. Lini diçka nga kopeja e Xhaguarëve pa blerë dhe zgjidhni problemet”, ka deklaruar nënkryetari i PD, Edmond Spaho.

Ai ka sulmuar edhe kryeministrin që thotë: ‘kemi bërë reforma, janë krijuar vende pune, ka rritje ekonomike dhe njerëzit janë të kënaqur’.

“Por situata është ndryshe. Kryeministri të mos shkojë në Hong Kong dhe të hapë ekspozita pikture, njerëzit e kanë zgjedhur për tjetër gjë”, ka thënë Spaho.

Gjithashtu, ka vijuar ai, “raporti i ditëve të fundit e tregoi se në ç’situatë ndodhet Shqipëria. Jemi ulur 35 vende. Ky është ambjenti i të bërit biznes që ka krijuar Shqipëria”.

Duke iu përgjigjur akuzave, kryeministri Edi Rama ka ritheksuar se, bllokimi i leve të ndërtimit ka sjellë rënien në klasifikimin e raportit të BB, “Doing Business”.

“Bllokimi i lejeve të ndërtimit ka sjellë rënien në klasifikim. Por kjo rënie është e rekuperueshme”, ka thënë Rama. Ai ka shtuar se, raporti i Bankës Botërore vë në dukje edhe aspekte sipas tij pozitive.

“BB ka nënvizuar ngushtimin e defiçitit tregtar dhe papunësinë më të ulët në rajon. Gjithashtu, kjo bankë ka parashikuar që rritja ekonomike do të jetë 2.7 për qind”, ka shtuar Rama.

Duke vijuar debatin mbi ekonominë, ish-kryeministri Sali Berisha ka përsëritur akuzat për vjedhje dhe korrupsion në adresë të kreut të qeverisë.

“Rama ka udhëtuar 62 herë jashtë shtetit, ndërsa 25 herë të tjera nuk është regjistruar në sistem. Edi Rama vetëm për vete ka kontraktuar 8 makina Jaguar. Vetëm me naftën, në këto dy vjet janë vjedhur 100 milionë euro. Ortaku i Ramës mori me ofertën më të shtrenjtë ndërtesën e OSHEE-së”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se, aferat korruptive kanë lidhje edhe me deputetin e sapobetuar të Kuvendit të Shqipërisë, Eduard Ndocaj, i cili sipas tij e ka blerë mandatin pasi ka paguar 500 mijë dollarë.

Klima e biznesit ka qenë një tjetër pikë e prekur nga ish-kreu i PD, e cila sipas tij është përkeqësuar në mënyrë të frikshme.

“Banka e Shqipërisë raporton se janë larguar nga vendi 3 miliardë dollarë. 40 kompani call center janë larguar nga vendi”, ka thënë Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA