Lojtarët e shembjes të ndahen nga “Rilindësit” e paktë

29/10/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Akuzat e opozitës së kryetarit real Sali Berisha dhe ato të kryetarit në detyrë, Lulzim Basha, ndaj qeverisë së kryeministrit Rama, nuk janë më ato të shpërfillshmet e një viti më parë, prej shumicës skeptike të qytetarëve.

Akuzat e rënda kanë tronditur vetë shumicën parlamentare dhe koalicionin qeverisës, ndonëse nuk kanë shkaktuar çarje të shpallur. Motorët e akuzave opozitare kanë qenë të ndezur që pa marrë detyrën qeveria “Rama”, të cilën njëkohësisht opozita e ka pagëzuar me kopjo-emrat: Rama-Meta.

Gjer në njëfarë kohe, këta motorë shkaktuan bezdisje publike dhe sidomos po shtonin perceptimin e një përdorimi të vjetër politik se “mjafton që Sali Berisha të jetë në opozitë, pa balta dhe llumi etik as që mund të kursehen në mjedisin publik dhe sidomos në ligjërimin politik”. Mirëpo djallëzisht, kryeparlamentari Meta dhe kryeministri Rama aplikuan për të vetmin njeri “diskriminimin pozitiv për kohën e të folurit parlamentar dhe në njëfarë kohe ia dolën të shkaktonin dominimin e një mendimi se “opozita nuk rritet, nëse nuk pushon i vjetri Sali”.

Por koha eci më shpejt nga sa e nisën shtruar dy kryeqeverisësit. Për këtë arsye, ndëshkimi i kohës mbi ta, për shkak të asaj që ngjet në të gjitha nivelet e qeverisjes së tyre, po bëhet jo vetëm tronditës, por po prek realisht nivelet më të padëshirueshme të rënies. Kjo që po ndodh është një rënie politike. Ndoshta rënia më e shpejtë që mund të ketë përjetuar ndonjë qeveri, qoftë majtas, qoftë djathtas dhe e ndryshme për nga shpejtësia e rënies edhe me qeveritë e periudhave të konflikteve dhe krizave alla-saliste të me nder tranzicionit. Dhe natyrisht tashmë momenti e ka përjashtuar plotësisht edhe alibinë e vet me emrin apo shkaktarin Sali Berisha, edhe justifikimin se në këtë qeveri, përgjegjësia është tek njeri prej partnerëve-pjesë.

Qeveria e Edi Ramës është në pozitë të vështirë. Kjo është një pozitë e vetëkrijuar, e dalë si rrjedhojë e shumë pasojave dhe efekteve të brendshme dhe të jashtme. Domethënë që buron prej vetë qeverisë, sidomos prej raporteve të saj me Partinë Socialiste, me elektoratin socialist dhe po me peshë në këtë rënie është edhe raporti që rezulton realisht prej marrëdhënies me dy standarde mes hisesë së qeverisjes që zotëron Ilir Meta dhe LSI e tij dhe hisesë së ndarë nga hiseja e socialistëve.

Socialistët prej kohësh po mavijosin një krizë të brendshme për shkak të hisesë së ndarjes së pushtetit dhe pjesëmarrjes në qeverisjen e tyre. Ka nisur viti i tretë i qeverisjes së tyre në këtë mandat dhe në nivelet bazë po gëlon ankimtaria dhe britma rebeluese, e cila më mirë mund të karakterizohet prej shprehjes së preferuar të vetë kryeministrit Rama: “Ishim më mirë kur ishim më keq”.

Por krejt këto zhvillime që dimensionojnë krizën duket se nuk janë të vetme. Një tjetër krizë po i mbivendoset. Kriza e mosbesimit në shtim ka marrë rrjedhë të frikshme. Socialistët janë në pikun e sulmeve akuzuese për klientelizëm, korrupsion, tenderizëm pa kritere dhe barazi si dhe për një rënie të frikshme në pozitat e paraardhësve të tyre në pushtet. Për më tepër se gati një vit e gjysmë, opozita politike ka shkrehur bateri të rënda e të plota, të hidhura dhe ekzagjeruese, të vërteta e të pavërtetueshme mbi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ditët e sulmimit opozitar mbi të përbëjnë një kazus studimor për marrëdhënien dhe rolin e opozitarizmit politik ndaj një ministri në historinë politike të periudhës emërhumbur, në të cilën po rrojmë. Nuk ka një rast të tillë të dytë në përvojën opozitare dhe politike as në Ballkan, as në Europën Juglindore dhe aq më tepër, as në praktikën politike të krejt Europës. Mbajtja kaq gjatë në “shtjekëz-thep” e një ministri, ndoshta më i rëndësishmi i një qeverie për vende si ky yni, nuk është thjesht një syçeltësi dhe detyrëbërje opozitare. Padyshim që kamuflohen brenda saj edhe shumë arsye të tjera. Por opozita është në këmbënguljen e vet natyrale. Ministri është i zbuluar më shumë prej të vetëve. Pse?

Përbri dhe njëkohësisht këtij kazusi, erdhi edhe zbulimi së pari mediatik i skandalit të llogarive të CEZ. Odiseja e këtij skandali përfshiu si kapitull të parë vënien në provë të ortakërisë qeverisëse si dhe vetë fatin e marrëdhënies Rama-Meta. Tashmë një kapitull tjetër vijon më shumë në padukje dhe jashtë dijenisë dhe transparencës me publikun, sikundër edhe me rrethana të reja dhe pse jo edhe viktima ndoshta me papërgjegjësi si zanafillorë të skandalit. Por kjo duket se ka shmangur çarjen e rrezikshme dhe ka evituar tërmetin politik brenda shumicës.

Skandale të tjera korruptimi, klientelizmi dhe abuzivizmi si dhe copëza që shëmtojnë dhe rrënojnë prekshëm imazhin e qeverisjes së “rilindjes”, po shtohen përditë. Ky breshër i përditshëm, po injorohet jo përditshmërisht me inteligjencë nga protagonistët e qeverisjes dhe në një lloj kuptimi po bëhet shtesë e efektit të keq te publiku dhe elektorati. Ku shkon kjo qeveri e Edi Ramës? Ku shkon kjo qeverisje e së majtës dhe pse për pak kohë ekziston rreziku që brenda së majtës të marrim dëshminë e parë për një çarje të pakapërcyeshme në dy vjet e ca të mandatit qeverisës? Nëse rrjedha lihet në këtë fat rënieje, për pak kohë qeverisja e “rilindjes” do të gjendet në një terren me gropa dhe humnera jetëmarrëse. Për ta evituar këtë, së pari nevojitet të ndahen lojtarët, ata që gjenden brenda vetvetes politike të së majtës dhe ata që koordinojnë me kundërshtarët e vjetër, për llogari të konjukturave të reja. Dy “kapitenët” e kësaj shumice nëse kanë ende marrëdhënie serioze me kohën e plotë të mandatit qeverisës, duhet urgjentisht të ndajnë lojtarët e shembjes nga ata të paktët që ende besojnë se ka rilindas.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA