Tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetase të Shqipërisë janë arrestuar në dy operacione policore në Mitrovicë dhe Pejë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “trafikim me njerëz” dhe “mundësim në prostitucion”, ku janë identifikuar edhe dy viktima të trafikimit.
Policia njofton se gjatë operacionit policor të realizuar në rajonin e Mitrovicës, është arrestuar një person, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “trafikim me njerëz” dhe “mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës” dhe “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”. Personi i arrestuar është shtetasi me iniciale M. S., i lindur në vitin 1967.
Operacioni tjetër policor është realizuar në rajonin e Pejës, ku janë arrestuar katër persona, në dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “mundësim apo detyrim në prostitucion” dhe “marrje me prostitucion”.
“Personat e arrestuar në këtë rast janë N. Gj., i lindur më 1961, P. B., i lindur më 1992, N. K., shtetase e Shqipërisë e lindur më 1965, si dhe shtetasja tjetër e Shqipërisë me inicialet Zh. Q., e lindur më 1967”, thuhet në komunikatën e policisë.
Polica thotë se të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e prokurorëve përkatës, kurse ndaj pesë personave të arrestuar është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, për të vazhduar me procedurat e tjera hetimore.
Top Channel