Eduart Ndocaj tashmë është zyrtarisht deputeti më i ri i Kuvendit pas betimit të bërë në seancën plenare të kësaj të enjte. Këshilli i Mandatave, i cili u mblodh më herët, miratoi vendimin e KQZ-së, për zëvendësimin e Arben Ndokës me Ndocajn.
Arben Ndoka në fillim të shtatorit dha dorëheqjen nga mandati i tij i deputetit të qarkut të Lezhës. Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli kundërshtoi ardhjen e deputetit të ri. “Kur ka ndodh në listë të heqin njëri pas tjetrit dhe të përfundoni në një që vjen si socialist e përfundon si demokristian. Kujt ia lexoni formulën ju, me kë talleni? Apo se ti nuk ke përfunduar ende në prokurori”, tha Topalli.
Eduart Ndocaj e ka quajtur ditën e parë në Parlament si dita e parë e shkollës, teksa e sheh si mjaft interesante. Në një prononcim për mediat ai tha se është nder për të të jetë në Parlament, dhe se ka marrëdhënie të mira me kryetarin e Partisë Demokristiane, ku dhe bën pjesë.
Ndocaj tha se prioritet të tij në Parlament do të jetë zona që do të përfaqësojë, Lezha, Mirdita dhe Kurbini, duke e konsideruar si një nga qarqet më të varfra.
“Nder të jem pjesë e Parlamentit. Prioritet është zona, një nga zonat më të varfra siç është qarku i Lezhës, siç është Lezha, Mirdita e Kurbini”, tha Ndocaj.
Top Channel