Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe i kërkoi ministrit të Financave, Shkëlqim Cani që të autorizojë organet fiskale të hetojnë shitjen e 49 përqind të aksioneve në kontratën e koncesionit të skanimit në dogana.
Kreu i financave u përgjigj se deri më tani qeveria ka qenë në negociata me kompaninë koncesionare, ndaj nuk mund të hetonte, por bëri të ditur se tani kjo kontratë është në auditim, ashtu si disa koncesione të tjera.
Erjon Braçe, deputet i PS: Po kërkoj vetëm një gjë, kjo është hera e dytë që e kërkoj. Kërkoj hetimin nga pikëpamja fiskale të transferimit të 49 përqind të aksioneve për 490 lekë të rinj, të një biznesi të garantuar me kontratë qeveritare që fillon me 264 milionë euro dhe mund të arrijë deri në 360 milionë euro. Këtë po kërkoj. Nëse ky biznes realisht është shitur dhe ju e besoni që të jetë shitur dhe vlera e këtij biznesi është vetëm 490 lekë?! Dakort! Unë ngre duart!
Shkëlqim Cani, ministër i Financave: Nuk do të bëhet auditi vetëm për këtë pjesë. Do të bëhet për të tërën. Ju thashë që është futur në procedurat e auditi të gjitha kontratat koncesionare për gjithçka, jo vetëm për 1-2 elementë, për të gjitha. Në kohën e duhur do të futen të gjitha në procedurë.
Top Channel