Incidenti Rossi-Marquez, Repsol kërcënon me largim

28/10/2015 14:10

Polemikat mes Valentino Rossit dhe Marc Marquezit për incidentin e ndodhur gjatë garës së Malajzisë kanë sjellë edhe ndërhyrjen e sponsorëve. Kompania Repsol, mbështetësja financiare e skuadrës Honda zyrtare, ka kërcënuar me largim nga Botërori i MotoGP.

“Në Sepang, Rossi shfaqi një sjellje të papranueshme dhe antisportive kundër Marquezit, duke e rrezikuar pilotin. Pa vlerat e mirësisë, agonizmin dhe impenjimin e pilotëve, nuk ka asnjë kuptim që të qëndrojmë në këtë botëror si sponsorë”, lexohet në komunikatën e Repsolit.

Firma gjigande spanjolle e naftës shtoi më pas se ndëshkimi që u dha për pilotin italian të Yamahas duhet të ishte më i ashpër: “Në xhiron e shtatë të garës, Rossi me një veprim të qëllimshëm goditi me shkelm në mënyrë antisportive pilotin e Repsol Hondës, duke e rrëzuar në tokë. Edhe pse Marquez për fat të mirë nuk pësoi gjë, për ne kjo sjellje e Rossit është e papranueshme, pasi e vuri në rrezik kolegun. Ne e konsiderojmë këtë gjest të italianit në kundërshtim me vlerat e këtij sporti dhe kampionati”.

Top Channel