Kosova nënshkroi të martën marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Impakti i parë i këtij nënshkrimi do të jetë rregullimi i marrëdhënieve mes unionit dhe shtetit më të ri. Për detajet që dalin nga MSA-ja dhe ato çfarë duhet të bëjë Kosova deri në ratifikimin e marrëveshjes nga Parlamenti Europian, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Ministri i Integrimit të Kosovës, Bekim Çollaku.
Zoti Çollaku u shpreh se ratifikimi nuk do të marrë një kohë të gjatë dhe me shumë mundësi ai do të mbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.
***
Bekim Çollaku: Ky është një moment shumë i veçantë dhe historik për Kosovën. Në rrethana shumë specifike Kosova arriti të nënshkruajë këtë marrëveshje me BE-në, duke hapur rrugën e sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian. Ky është një moment emocionues që duhet t’i bëjë krenar të gjithë qytetarët e Kosovës për të gjitha këto arritje që pas shpalljes së pavarësisë.
Pandi Gjata: Çfarë detyrimesh konkrete dalin për Kosovën që pas momentit të nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit?
Bekim Çollaku: Dihet nga praktikat e mëparshme sepse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar nëpër këtë fazë. Kjo është një marrëveshje shumë voluminoze dhe në vetvete përmban shumë obligime për te dy palët. Gjëja kryesore për Kosovën lidhet me obligimin në fusha të ndryshme. Më kryesorja është sundimi i rendit dhe i ligjit, si dhe në rritjen e transparencës dhe të mirëqenies në Kosovë. Këtu përfshihen edhe detyrimet dhe obligimet që ka marrë Kosova nga ky proces. Unë jam i sigurt se po ashtu si të gjitha shtetet e tjera, Kosova është e aftë dhe e ka potencialin e domosdoshëm për të përmbushur këto obligime që ne kemi marrë përsipër.
Pandi Gjata: Për shkak të specifikës që ka Kosova, dokumenti i nënshkruar i MSA-së nuk do të ratifikohet nga të gjithë parlamentet e vendeve të BE-së. Ky dokument do të ratifikohet nga Parlamenti Europian. A ka një datë për ratifikimin dhe deri atëherë çfarë duhet të ketë plotësuar Kosova?
Bekim Çollaku: Në rastin e Kosovës kjo është një përparësi pasi nëse do të ishte ndryshe do të ishte shumë më e vështirë, kur kemi ende 5 shtete anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur formalisht pavarësinë. Sipas informatave që unë kam në dispozicion, ratifikimi nuk do të marrë një kohë të gjatë dhe ky moment shënon edhe implementimin e kësaj marrëveshje. Për të qenë më specifik unë them që këto procedura do të mbyllen në fillim të vitit të ardhshëm.
Pandi Gjata: A shikoni vështirësi nga eurodeputetët në Parlamentin Europian të 5 shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën?
Bekim Çollaku: Jo, sepse një gjë e tillë u dëshmua edhe me rastin e miratimit të marrëveshjes nga Këshilli Europian, por edhe në nënshkrimin formal të kësaj marrëveshje. Nëse do të kishte kundërshti, drejtuesit e BE-së nuk do ta nënshkruanin një marrëveshje të tillë. Me këtë rast unë dua të falenderoj të gjitha shtetet e BE-së, pa dallim, por në mënyrë specifike dua të falenderoj 5 shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por kanë ndihmuar që Kosova të përparojë në axhendën e saj europiane. Në PE ne kemi një shumicë absolute mbështetëse dhe aty do të merret edhe një pëlqim, ku unë nuk pres të ketë asnjë lloj pengese.
Pandi Gjata: Edhe pse nuk kanë lidhje nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimin e vizave, gjithsesi a mendoni se nënshkrimi i së martës do të ndikojë pozitivisht edhe në liberalizimin e vizave?
Bekim Çollaku: Padyshim që nënshkrimi i marrëveshjes do të ketë ndikim. Unë konfirmoj, që po ashtu si edhe shtetet e tjera, Kosova është futur në këtë rrugë bazuar në udhërrëfyesin zyrtar që ne kemi marrë nga KE-ja. Në bazë të këtij udhërrëfyesi ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat tonë. Tani ne jemi në pritje që Komisioni Europian të japë raportin e tij përfundimtar, për të cilin ne presim të jetë një raport pozitiv dhe jo një raport dosido.
Pandi Gjata: UNESCO, MSA dhe e vizat, do të ishin padyshim shumë të rëndësishme për Kosovën njëra pas tjetrës, apo jo?
Bekim Çollaku: Absolutisht që të tria janë të një rëndësie të madhe dhe së bashku e forcojnë sovranitetin tonë shtetëror dhe e forcojnë rolin e Kosovës dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.
Top Channel