Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, sipas njohësit të së drejtës europiane, Vigan Qorrolli, është i vonuar, siç do të jetë – sipas tij, – i vonuar edhe procesi i anëtarësimit të plotë.
“Marrëveshja për Stabilizim-Asociimin nënkupton hapin e parë të integrimit të Kosovës në procesin e stërzgjatur të integrimit në BE, i cili tregon se Kosova do të ketë një rrugë të tejzgjatur për integrimin”, tha Vigan Qorrolli, njohës i së drejtës europiane.
Sipas Qorrollit, pavarësisht rrugës së gjatë që do të ketë Kosova, e rëndësishme është që BE-ja po e trajton njësoj si vendet tjera dhe – sipas tij, – me MSA-në Kosova do të fuqizojë subjektivitetin ndërkombëtar.
“Përparësitë e Kosovës janë shumë të mira, meqenëse është hapi i parë në raportin kontraktual midis dy organizmave, një organizate ndërkombëtare që është Bashkimi Europian dhe një shteti që është Republika e Kosovës . Ndaj, për herë të parë i njihet legjitimiteti ndërkombëtar në vënien e të bardhës mbi të zezë. Ky është një nënshkrim shumë domethënës për rritjen e besueshmërisë së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha më tej Vigan Qorrolli.
Qorrolli deklaroi gjithashtu se, Kosova duhet të punojë dhe do të ndihmohet nga BE-ja, që pas zbatimit të MSA-së të marrë edhe statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por – sipas tij, – për shkak të mosnjohjes nga 5 vende anëtare, në këtë moment nuk mund të parashikohet se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Top Channel