Dyshime për manipulim të votave, ndalohen mbi 100 komisionerë në Prizren Raportuesja për Kosovën, njëkohësisht zëvendëspresidente në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek bëri thirrje ndaj legjislativit europian dhe Kuvendit të Kosovës për të përshpejtuar procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, menjëherë pas nënshkrimit të saj.
Në komunikatën për shtyp të shpërndarë nga Komiteti i Jashtëm europarlamentar, ajo arsyeton se “MSA-ja do të japë një stimul të fuqishëm për zbatimin dhe institucionalizimin e reformave dhe të mundësive të reja për Kosovën, që të forcojë marrëdhëniet me fqinjët e saj dhe të kontribuojë në stabilizimin e rajonit. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi për të konfirmuar dëshirën tonë për t’i dhënë hov të ri procesit të zgjerimit”, shprehet raportuesja Lunaçek, e cila e quan “lajm të mirë” nënshkrimin e MSA-së dhe “hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE”.
Në të njëjtën linjë reagoi institucionalisht dhe Bashkimi Europian, duke e konsideruar “një moment të mirë”. Përfaqësuesja e Lartë Mogherini citohet në deklaratën për shtyp të Këshillit të BE-së se “pret sa më shpejt hyrjen në fuqi të marrëveshjes”, që do të sjellë sipas saj “shumë të mira për qytetarët e Kosovës dhe të BE-së, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit”.
Në përfundim, deklarata konfirmon se “BE-ja do të vazhdojë mbështetjen ndaj progresit të Kosovës në rrugën europiane, përmes procesit të Stabilizim-Asociimit”, dhe kujton se “BE i caktoi 645.5 milionë euro Kosovës” në mbështetje të reformave të nevojshme për periudhën 2014-2020.
Nënshkrimi i MSA-së u përshëndet nga kryediplomatët e disa vendeve anëtare të BE-së, që e njohin pavarësinë e Kosovës. “Një levë thelbësore për forcimin e bashkëpunimit mbi çështjet ekonomike, tregtare dhe politike” e konsideroi Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane, Harlem Dèsir.
Përmes një komunikate për shtyp, ai shprehet se kjo marrëveshje do të shërbejë për “zbatimin e reformave të domosdoshme për përafrimin e saj europian” dhe do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë “sundimi të ligjit, drejtësisë dhe punëve të brendshme”.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel