PD depoziton në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të Leskajt

27/10/2015 17:10

“Bashkë me naftën e me mallrat e tjera dhe me pasagjerët për 25 vite me radhë, hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë do të marrë me vete edhe mandatin e deputetes Valentina Leskaj, nënkryetare e Kuvendit”.

Partia Demokratike paraqiti në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetes Valentina Leskaj sepse konsideron se koncensioni për hekurudhën, i fituar prej djalit të saj, jo vetëm është një akt korruptiv i kryeministrit, por edhe një shkelje e rëndë e ligjit për konfliktin e interesit.
 
“Neni 24 i këtij ligji parashikon shprehimisht se personat e lidhur me deputetin, fëmija madhor i një deputeti nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik”, tha Ristani në një deklaratë për mediat.

Neni që zoti Ristani lexoi lidhet me zyrtarët që marrin vendimet, por Partia Demokratike përfshiu këtu edhe deputeten Valentina Leskaj, pavarësisht se marrëveshja koncensionare nuk ka kaluar në Parlament.

“Nga dita që hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë mori emrin hekurudha Leskaj, nënkryetarja e Kuvendit është në shkelje të ligjit, është në papajtueshmëri me ligjin, çdo ditë që mban mandatin, çdo ditë që paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë”, shtoi Ristani.
 
Qeveria e hodhi poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, duke thënë se ligji që i referohet Arben Ristanit përfshin zyrtarët që janë pjesë e vendimmarrjes së procedurave publike. Për këtë arsye, qeveria thotë se “pretendimi për konfliktin e interesave për këtë procedurë nuk qëndron, pasi deputetja Valentina Leskaj nuk ka asnjë lidhje në vendimmarrjen e procesit së dhënies me koncesion të hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA