MSA-ja, diplomacitë e huaja urojnë, por kanë edhe kritika për opozitën

27/10/2015 17:50

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian është përshëndetur në Prishtinë nga të gjitha institucionet e vendit dhe nga përfaqësitë diplomatike.

Në një urim të përbashkët të ambasadave të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, përveç urimit për MSA-në janë shprehur edhe shumë kritika për klasën politike, në veçanti opozitën, për veprimet e saj të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Zyra e Bashkimit Europian u ka bërë thirrje të gjitha partive politike, që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së, për t’iu kthyer dialogut politik në nivel institucional dhe të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për vlera europiane me vepra, e jo me fjalë.

Në komunikatën e zyrës së BE-së thuhet se, ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta demokratike, që opozita kosovare të mund t’i përdorë për ta bërë zërin e saj të dëgjohet, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës nuk është asnjë prej tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë vlerëson se, pasi të miratohet nga Kuvendi dhe të zbatohet, MSA-ja do të ofrojë përfitime të prekshme për popullin e Kosovës. Sipas komunikatës së Ambasadës amerikane, MSA-ja përfaqëson një përparim të vërtetë për integrimin në institucionet europiane dhe transatlantike.

Për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, nënshkrimi i MSA-së në Strasburg është nisja e pakthyeshme e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas Jahjagës, MSA-ja do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Ndërkohë, partitë politike në Kosovë kanë qëndrime të ndryshme rreth arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së, në Strasburg. Teksa partitë e koalicionit qeveritar e vlerësojnë MSA-në si arritje historike për vendin në rrugën integruese në BE, partitë opozitare janë të ndara në qëndrime.

Përmes një komunikate për mediat, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se, Marrëveshja për Stabilizim-Asociimin e nënshkruar midis Kosovës ‘me shënim shtesë’ dhe BE-së nuk erdhi si rezultat i përpjekjeve dhe arritjeve në luftën kundër korrupsionit, as si rezultat i përmirësimit e zhvillimit ekonomik, as si rezultat i reformave institucionale, por si produkt i dialogut me Serbinë.

Ndërsa partia e Ramush Haradinajt, AAK është e gatshme të zhbllokojë Kuvendin në ditën e ratifikimit të MSA-së, nëse qeveria nuk fut në rend dite edhe pika të tjera.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në asnjë moment nuk do të bllokojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, sesi do të votojë grupi parlamentar kjo mbetet për t’u parë. Shpresoj që qeveria nuk do të fusë kontrabandë ndonjë pikë tjetër në rendin e ditës, për shkak se Aleanca mbetet e palëkundur pas qëndrimeve të saj politike”, tha Besnik Tahiri, AAK.

Sipas Tahirit, MSA-ja është vetëm një hap, i cili varet nga qeverisja e vendit sesi do të vazhdojë më tej, pasi ai kujtoi që MSA-në e kishin marrë afërsisht në të njëjtën kohë si Maqedonia edhe Kroacia, por sot njëri shtet është anëtar i BE-së e tjetri vazhdon të mbetet ku ka qenë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA