Bashkia e Tiranës ka vendosur që në rrugët e reja të qytetit t’u japë prioritet mjeteve të shërbimit publik, lëvizjes me biçikleta dhe këmbësorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve që po zhvillohen në rrugën “Dritan Hoxha”, vlerësoi se në ndërtimin e rrugëve të reja po zbatohet një standard i ri.
“Më vjen mirë që për herë të parë, në rrugën kryesore të hyrjes së qytetit, Bashkia e Tiranës sjell një standard të ri. Do të kemi një korsi të kushtuar për biçikletat dhe sinjalistikën e nevojshme”, deklaroi Veliaj, i cili shtoi se ky projekt është një ndër të parët që ka për qëllim t’i japë përparësi transportit publik.
“Do të shpërblejmë njerëzit që përdorin biçikletat ose transportin publik, do të kemi një korsi rreth 4 metra kushtuar autobusëve. Ai që përdor biçikletën dhe autobusin do të shkojë më shpejt në destinacion se sa kushdo që preferon që për distanca të shkurtra t’i hipë makinës”, shtoi Veliaj.
Ndërsa vlerësoi rrugën “Dritan Hoxha” si rruga me të cilën qyteti prezantohet me këdo që hyn në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj theksoi se këtë kartolinë të bukur kryeqyteti do ta ketë brenda dy javësh: “Çdo rrugë e re në Tiranë do të ketë këtë standard, trotuare për këmbësorët, korsi të posaçme për biçikletat dhe autobusët. Besoj se për dy javë ne do të kemi një rrugë të re dhe një kartolinë të bukur që në hyrje të Tiranës”.
Rruga e re “Dritan Hoxha” do të ketë trotuare të veshura me pllaka, 3 kilometra korsi biçikletash në të dyja drejtimet e rrugës, korsi autobusi të dedikuar me gjerësi 4 metra, projekt ndriçimi rrugor, sistemim të stacioneve të linjave urbane pranë kalimeve të këmbësorëve dhe ulje të trotuareve për personat me aftësi të kufizuar.
Top Channel