Të jetosh me vdekjen

26/10/2015 00:00

Nëse kërkoni një fshat, që duket sikur ka dalë nga librat e historisë për të jetuar të tashmen, ja Izvori dhe banorët e tij. Nuk jemi kthyer pas në kohë. Ndodhemi jo larg qendrave të mëdha.

Ishte viti 1969, kur një tërmet i fuqishëm goditi zonën e Tepelenës, çfarë detyroi mes të tjerëve edhe banorët e fshatit Izvor, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, të largoheshin nga fshati i tyre.

Sistemi i kohës i vendosi në zemër të Luftinjes. Dukej si diçka e përkohshme, por nuk ndodhi kështu. Sot 46 vite më pas, ata janë sërish aty, në të njëjtat shtëpi të lodhura, që duken më shumë si ngrehinat e një kampi përqëndrimi.

“Ne nuk jemi as qytet e as fshat. Siç është bërë me ndërtimet e asaj kohe, shikojeni vetë problemin e shtëpive, ashtu kemi ngelur”, thotë Fatmir Oruçi.

Dikur, masa dërrmuese e banorëve punonin në minierën e qymyrgurit, në sektorin Danaj, siç e identifikojnë ata. Ishin mëse 1400, nga të cilët rreth 480 punëtorë ishin vetëm nga Izvori.

Në vitin 1995 miniera e mbyll, çfarë bëri që i gjithë ai numër i madh të punësuarish nga fshati me mbi 1300 banorë, të përfundonin në rreshtin e gjatë të të papunëve. Për mbi 20 vite që nga ajo ditë, për këtë zonë nisi një sfidë e rëndë për të siguruar mbijetesën.

“Kanë ardhur nga fshati Izvor dhe kanë zënë edhe tokën e Luftinjes. Megjithatë, të varfër ngelën ata, të varfër ngelëm edhe ne”, thotë Fluturim Vela.

Të mbetur pa tokë, sepse ishin vendosur nga shteti i kohës në zonën e një tjetër fshati, ata u gjenden balltazi një rruge pa krye. Me se mund të mbaheshin, kur s’kishin asnjë copë tokë, qoftë për bujqësi a blegtori?

“Morëm bagëtinë dhe e fusim prapa shtëpive. Në dritaren e shtëpisë pëllet lopa tërë natën e natës. E kuptoni sa e vështirë është jeta jonë?”, tregon Sami Malkaj.

Në vitin 1995, qeveria e kohës u dha disa toka në përdorim, por jo në pronësi, në zonën e Vrinës diku në Sarandë. Por, mundësitë e kufizuara ekonomike bënë që banorët të mos mundnin të zhvendoseshin. Ata mbetën në këto rrugica, që fshehin kaq shumë drama njerëzore.

“Asnjë gjë nuk funksionon, as uji i pijshëm, as xhadeja, as elektriku. Nuk vë njeri dorë, shtyllat janë përtokë dhe këtu, kur ndërpritet energjia elektrike dritat ikin me javë, me ditë, apo 24 orë të plota”, thotë Qamil Oruçi, kryeplaku i fshatit Izvor.

“Fëmija mbaroi gjimnazin dhe nuk pata lekë ta nisja për në shkollë të lartë. S’pata lekë. Tani e kam lënë për vitin e ardhshëm, në qoftë se… po presim për diçka më mirë”.

Me fat quhen ata, që kanë pasur një të punësuar në minierë. Kjo, sepse pensioni i ish-minatorëve është mundësia e vetme për të siguruar diçka. Janë familje të tëra, që mbahen veç me atë.

“Unë i mbaj 3-4 vetë vetëm me pensionin, asnjë lloj gjëje tjetër. Çfarë do bësh, këtu s’ka asgjë”, thotë Teme Manaj.

“Njerëzit nuk kanë as lekë, asnjë gjë për të banuar dhe për të jetuar. Jetojnë ende nga nënat dhe baballarët”, thotë Ilir Harrizi.

Në shumë prej shtëpive është e vështirë të kuptosh sesi mund të jetojnë njerëz. Duket sikur skamja ka zënë vendin e mureve rrethues, ndërsa mbi të qëndron si xhelat eterniti, me cilësitë e një vrasësi të përditshëm e të pamëshirshëm.

“Kjo është shtëpia ime. Këto janë kushtet ku ne jetojmë. Ja ku janë krevatët ku flejmë, njëri për djalin, tjetri për mua dhe vajzën dhe i treti për burrin. Këtu mbaj enët ndërsa ky është dollapi, të cilin ne e kemi në këtë gjendje sot. Kemi edhe dy soba, por asnjëra prej tyre nuk punon”, thotë Aije Oruçi.

Shtëpi më shtëpi është e njëjta gjendje.

“Në këto kushte të mjerueshme, këtu gatuajmë ne. Të shikojë qeveria”, thotë një grua e moshuar.

Statistikat e ndryshme e klasifikojnë eternitin dhe asbestin, pjesë përbërëse e tij, si shkaktarin e mijëra vdekjeve në të gjithë botën, si pasojë e kancerit në mushkëri. Ato konsiderohen si vrasës të heshtur, sa kohë – siç theksojnë ekspertët, – faza e inkubacionit të sëmundjes mund të shkojë deri në 30 vite.

E megjithatë, në Izvor mund të rrotullohesh për një kohë të gjatë, por nuk mund të gjesh më shumë se 5 apo 6 shtëpi, në të cilat të jetë ndërhyrë disi. Të tjerat janë fotokopje e dhimbshme e njëra-tjetrës, mbuluar me të njëjtin petk.

“Për arsye ekonomike, njerëzit s’kanë ku të venë, me çfarë t’i bëjnë shtëpitë. Për arsye ekonomike është e gjitha, nuk ka parà”, thotë Bilbil Xhafaj.

“Shumica është në fukarallëk të madh, varfëria është shumë e theksuar”, thotë Hysen Harizi.

Sigurisht këto janë problemet kryesore, sepse në këtë fshat gjithçka është një problem, ose më mirë asgjë nuk ka shkuar siç duhet. E të mendosh se Izvori është pjesë e Bashkisë së Memaliajt, jo më larg se 18 kilometra nga ky qytet, edhe pse rruga është një hall më vete. Ndërkohë kufizohet edhe me Beratin, në njërin krah, e Mallakastrën në tjetrin.

“Këtu ndaj janë larguar shumica nga ky vend, se nuk i mbante vendi. Vendi ka qenë tej mase i ngushtuar në shumë drejtime dhe njerëzit kanë zgjedhur rrugën dhe kanë ikur. Dikush vuri kapital dhe nuk ndërtoi në këtë fshat, ndërtoi ku e pa të arsyeshme dhe ky fshat ngeli kështu. Ky fshat u ndërtua në ’69-n, me ato parametra që e bëri në atë kohë sistemi, dhe ashtu ngeli”, thotë Aleks Harrizi.

“Emigracioni po shkon drejt fundit edhe andej. Ishin në Greqi, ishin në Itali, pak njerëz janë larguar. Megjithatë, shikoje se çfarë kushtesh ekstreme ka i gjithë fshati Izvor”, thotë Fatmir Zikaj.

Zhgënjimi është i madh, ndoshta sepse shpresa është përzhitur e shkelur pa mëshirë nga premtimet boshe.

“Plakun e kam të verbër nga një sy, siç të tha, edhe vetë jam më keq, nuk shoh nga të dy sytë”, tha më tej e moshuara.

Izvori është një rast i veçantë, që duhet trajtuar në mënyrë të veçantë e në të njëjtën kohë me emergjencë. Nuk është faji i banorëve, që i vendosën në këtë vend 46 vite më parë. Dikur kishin minierën, po sot? S’kanë toka, s’kanë ujë, s’kanë rrugë, s’kanë urë…

E mbi të gjitha jetojnë, ose më mirë bashkëjetojnë me vdekjen. Ky komunitet meriton më shumë, shumë më shumë sesa fjalët boshe, që s’mund të mbushin e as të zënë varfërinë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA