Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po jep me koncension tek miqtë dhe klientët e tij pasuritë publike. Media publikoi të dhëna sipas të cilave, ndërtuesi Arian Leskaj, djali i nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj ka marrë me konçension për 25 vjet hekururdhën Ballsh- Fier- Vlorë.
“Çdo mall që do transportohet për 25 vite, çdo pasagjer që do udhëtojë për 25 vite në këtë linjë, do paguajë paratë tek biznesmeni Arian Leskaj, mik i vjetër i Bashkisë së Edi Ramës, djali i nënkryetares së Kuvendit.Ky koncesion është bërë pa transparencë, pa garë, pa asnjë njoftim.Kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh në vit, duke ditur se në hekurudhën Leskaj, do të transportohet nafta që prodhohet në ballsh, e cila shkon në Vlorë për t’u tregtuar më pas në Europë. Çdo ditë, pas çdo tenderi, pas çdo koncesioni, pas çdo pasurie kombëtare po shfaqet një mik i Edi Ramës, që ndan fitimet më të”, tha Liljana Elmazi, deputete e PD-së.
Në një dalje tjetër publike, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se ka gënjyer, kur ka thënë se marrja e makinave të reja me qira do t’i kursejë buxhetit rreth 567 mijë euro. Partia Demokratike publikoi një dokument të thesarit të shtetit për të provuar se qeveria gënjeu, në mënyrë që të mbronte aferën korruptive të Jaguarve luksozë.
“Zyra ku prodhohet propaganda e Edi Ramës, pretendon se po kursehet dhe thotë se aktualisht qeveria shpenzon 636 mijë euro për mirëmbajtjen e makinave që ka.Në fakt, qeveria ka shpenzuar në një vit vetëm 23 mijë euro për mjetet e transportit, referuar këtij dokumenti zyrtar të thesarit. Zyra e Edi Ramës ka genjyer 30 fish, me shumën e paraqitur. Një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar këtë shpenzim skandaloz për luks qeveritar, për ministrat e zhytur në korrupsion”, tha deputetja Mimoza Hajdermata.
Sipas Partisë Demokratike tenderi për të pajisur qeverinë me makina të reja superluksoze është treguesi më i qartë se për cili është shqetësimi kryesor i Edi Ramës dhe që dëshmon se, kur bëhet fjalë për shqiptarët, ai ndryshe flet dhe ndryshe vepron.
“2 milionë euro ka vendosur Edi Rama tia japë ndërtuesit të tij personal, të vilave të tij në Dradhë dhe ne Durrës, Gon Papulit, që ai vetë dhe ministrat e tij, të thellojnë edhe më shumë pabarazinë, varfërinë e mjerimin në këtë vend. Dhe në fund, sërish makinat i mbeten Papulit të Ramës. 2 milionë euro që do mjaftonin për t’u falur qytetarëve të pamundur kamatvonesat e energjisë. 2 milionë euro, pagesa e 41 mijë të papunëve, ose 34 mijë pensione fshati, apo 18 ijë e 700 pensione qyteti, që Edi Rama ia jep Papulit të tij. Shqiptarët nuk mund të lejojnë një tallje të tillë nga qeveria. Eshtë ora për tu ngritur e për ti ndalur hajdutët e xhamave të zi”, vijon deputetja e PD-së.
Top Channel