Papunësia, problemi madhor i ekonomisë kosovare

26/10/2015 18:45

Sipas parashikimit të Bankës Botërore ekonomia në Kosovë po tregon shenja të mëkëmbjes, e  nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Rritja pritet të arrijë në 3% në vitin 2015 dhe 3.6% në vitet 2016-2017, por mundësitë e punësimit do të vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Të ardhurat për familjet më të varfëra pritet të shtohen nga rrija e përshpejtuar në bujqësi dhe pakësimi i TVSH-së për ushqimet bazë dhe shërbimet komunale. Por vonesat në zbatimin e disa reformave sociale, si ajo e siguracionit shëndetësor, do të ketë efekte negative.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 0.2% në tremujorin e parë të 2015, e nxitur nga shtimi i konsumit privat me 2.3%  dhe rritje e shpenzimeve qeveritare me 1.5%  rritje e konsumit të qeverisë, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Çmimet mbeten të qëndrueshme me deflacion mesatar prej 0.5% gjatë gjysmës së parë të vitit, që duhet të rrisë të ardhurat reale të familjeve.

Megjithatë rritja e pagave në sektorin publik po ndikon duke sjellë çrregullime në tregun e punës. Kështu rritja ekonomike nuk është mbështetur tek krijimi i vendeve të punës.

Sipas raportit të BB, niveli i papunësisë mes të rinjve mbetet i lartë, mbi 61%.

Rritja ekonomike pritet të arrijë 3% në vitin 2015, 3.5% në vitin 2016 dhe 3.7%  në vitin 2017 mbështetur nga shtimi i investimeve të huaja, shtimi i konsumit dhe eksporteve.

Megjithatë, sipas Bankës Botërore kjo rritje mund të rrezikohet nga mosrealizimi i investimeve publike dhe pakënaqësia nga mungesa e vendeve të punës.

Mungesa e sigurisë energjitike mbetet pengesa kryesore për tërheqjen e investime të huaja të drejtpërdrejta.

Dobësitë makroekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria kërkojnë reforma strukturore gjithpërfshirëse për të nxitur rritjen ekonomike dhe për ta bërë atë të prekshme për të gjitha shtresat në Kosovë, përfundon rapaorti i Bankës Botërore.

Top Channel