Basketbolli amerikan qan Flip Saunders. Trajneri i Minnesota Timberwolves u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare pas një beteje me kancerin. Lajmi u komunikua nga vetë drejtuesit e skuadrës së Minesotës, nëpërmjet një komunikate për shtyp.
Saunders, i cili kaloi 17 sezone në kampionatin amerikan të basketbollit, me një bilanc prej 654 fitoresh dhe 592 humbjesh, u diagnostikua me kancer në sistemin imunitar në muajin qershor. Në muajin gusht, ai bëri të ditur se mjekët i kishin deklaruar se ky lloj kanceri ishte i trajtueshëm dhe i kurueshëm. Por në muajin shtator gjendja e tij gjatë trajtimit me kimioterapi u komplikua, gjë që e detyroi atë të mungonte në stërvitjet e skuadrës dhe vendin e tij përkohësisht e mori Sam Mitchell.
Saunders e nisi karrierën e tij si trajner në vitin 1996, pikërisht me Timberwolves, duke e çuar këtë skuadër në fazën e “playoff”-it për 8 sezone radhazi. Në vitin 2005 ai u shkarkua nga Minesota për t’u bashkuar me Detroit e duke i udhëhequr Pistonsat në finalet e Konferencës së Lindjes për 3 vjet radhazi.
Saunders drejtoi edhe skuadrën e Washington Wizards për 3 sezone, për t’u kthyer në vitin 2013 te Minesota si president dhe bashkëpronar i kësaj skuadre. Sezonin e kaluar ai u ul sërish në pankinën e këtij ekipi, por e mbylli atë me një bilanc prej 16 fitoresh dhe 66 humbjesh.
Top Channel