Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pranuar dorëheqjen nga mandati, të deputetit socialist Arben Ndoka, duke kryer edhe zëvendësimin e tij me pasuesin. Eduart Ndocaj do të marrë mandatin e Ndokës, si emri që vinte në listë pas Ndrec Dedës që u zgjodh kryetar i bashkisë së Kurbinit.
Trupa e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve mori vendimin e kalimit të mandatit Eduart Ndocajt mes debatesh proceduriale, por votimi 4 me 3 në fund miratoi këtë akt. Vendimi final i takon tani Kuvendit.
Arben Ndoka la vullnetarisht mandatin një muaj më parë, si emër i përmendur nga opozita që duhej t’i nënshtrohej procesit të dekriminalizimit. Pavarësisht se nuk i pranoi akuzat e artikuluara nga PD, ai e cilësoi këtë një akt moral për të çliruar nga këto akuza edhe partinë ku bënte pjesë.
Top Channel