Akuzat e PD për Jaguar-ët, qeveria këmbëngul: Kursejmë duke i marrë me qira

26/10/2015 19:05

Partia Demokratike akuzoi sërish qeverinë përmes deputetes Mimoza Hajdarmata për shpenzime luksi me automjetet Jaguar, që Këshilli i Ministrave synon të marrë me qira.

Qeveria ka reaguar përmes portalit të vet duke i cilësuar  shifrat e opozitës si spekulative dhe se kosto e publikuar më parë nga qeveria për mirëmbajtjen e automjeteve ekzistuese, përfshin të gjitha shërbimet, Këshillin e Ministrave dhe gjithë ministritë.

“Shifrat e përmendura sot nga deputetja e Partisë Demokratike janë tërësisht spekulative dhe të pavërteta. Duam të theksojmë se shifra e publikuar prej nesh nuk pasqyron kostot e një dikasteri të vetëm por përfshin koston totale vjetore për Këshillin e Ministrave dhe gjithë ministritë përgjatë një viti. Gjithashtu kjo vlerë nuk përfaqëson vetëm koston e shërbimit të makinave, por vjen pas një analize të të gjithë shpenzimeve për mirëmbajtjen e makinave qeveritare, ku përfshihen: vlera vjetore e mirëmbajtjes, kostot e servisimit, pajisjeve, goma, sigurimit brenda dhe jashtë vendit, taksave, kolaudimit, lavazhit, vlera vjetore e amortizimit të mjeteve, vlera vjetore e shpenzimeve administrative: kostot për gjithë hierarkinë që mbulon administrimin e mjeteve të transportit në secilën ministri dhe Kryeministri”, thuhet në reagim.
 
Qeveria rithekson se marrja me qira e mjeteve të transportit i kursen Shtetit Shqiptar jo vetëm në koston e mirëmbajtjes dhe menaxhimit, por edhe nga shpenzimet që krijoheshin si pasojë e keqadministrimit, keqpërdorimit, konsumit të lartë të karburantit për shkak të vjetërsisë së makinave dhe kostove të larta administrative për bërjen e procedurave të veçanta të prokurimit për zëra të ndryshëm të këtij shërbimi për çdo ministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA