Ilir Yzeiri – Qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri nuk ka luftë, por, megjithatë, shqiptarët që banojnë në Kosovë dhe ata që banojnë në Shqipëri në shumicë kanë dëshirë t’i braktisin këto vende.
Në Kosovë opozita i ka shpallur luftë qeverisë dhe po bën një gjest kriminal të padëgjuar më parë. Ajo ka bllokuar Parlamentin dhe hedh gaz lotsjellës në sallën e tij. Po përse e ka këtë irritim opozita? E ka sepse shumica ka votuar një ligj ose do ta votojë një të tillë që në zhargonin politik ka hyrë me emrin “zajednica” – Asocacioni i Komunave me shumicë serbe, të cilat mund të realizojnë marrëveshje edhe drejtpërdrejt me Serbinë. Këtë projektligj opozita po e kundërshton me forcë dhe ka shpallur se kështu cenohet pavarësia territoriale e Kosovës, integriteti e kështu me radhë. Ajo që bie në sy me këtë rast është patosi nacionalist agresiv i opozitës dhe përpjekja për të mos dëgjuar aleatët tanë perëndimorë, të cilët kërkojnë bashkëpunim mes shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq, paradoksi është diku tjetër. Patriotët e mëdhenj të opozitës nuk po arrijnë të bindin shqiptarët e Kosovës që të mos e lënë në masë atë territor, që të mos emigrojnë. Sipas shqiptarëve që emigrojnë Kosova është një vend i pajetueshëm dhe me korrupsion e krim. Ndërsa serbët e Kosovës duan të jetojnë në Kosovë, madje duan dhe më shumë të drejta. Cilido shqiptar me arsye të ftohtë do të mendonte se kujt i duhet kjo luftë donkishoteske e opozitës në Kosovë, ndërkohë që klasa politike atje dhe opozita sidomos po ua vret shpresën? A e dinë këta sharlatanë që e heqin veten si patriotë të dyfekut e të bombave se nacionalizmi agresiv i vret shpresat dhe po e bën Kosovën një tokë të djegur?! Lufta e vazhdueshme mes shqiptarëve që po shfaqet tani në parlament po e bën Kosovën një vend pa shpresë, sepse shqiptarët nuk frymëzojnë optimizëm, por dhunë. Paradoksi më i madh është pikërisht tek aksioni i opozitës. Opozita po e heq veten si e djegur për të rrëmbyer armët, sepse serbi po u merr tokat, ndërkohë ajo vetë me sjelljen e saj po e boshatis Kosovën. Tani cili është dëmi më i madh në këtë rast: “zajednica” apo elita kriminale e Kosovës dhe përkatësisht opozita që ka zgjedhur konfliktin e armatosur (bombat me gaz lotsjellës) dhe e ka bërë Kosovën një fushë lufte ku askush nuk ka dëshirë të jetojë më?! Kujt i duhen ato territore që gjoja po i mbron opozita folklorike e Kosovës, kur vetë shqiptarët e Kosovës po e braktisin në masë atë?! Si ka mundësi që kjo opozitë nuk ul kokën dhe të bashkëpunojë me cilindo në Kosovë që arrin të ngjallë shpresën në atë vend, që realizon projekte që nxisin zhvillimin e ekonomisë dhe frenojnë largimin në masë dhe boshatisjen e Kosovës. Kujt i duhet lufta kundër “zajednicës” kur Kosovën po e braktisin shqiptarët, sepse udhëheqësit e tyre folklorikë e kanë mendjen te lufta folklorike dhe te karikaturat e patriotizmit fals. Opozita e Kosovës dhe elita politike atje duhet ta dinë se pavarësinë e Kosovës ia kanë borxh Perëndimit dhe SHBA-së dhe se që ta meritojnë atë duhet të sillen si perëndimorë dhe jo si karikatura të folklorit. Ata duhet të bëhen të zgjuar e diplomatë që të përfitojnë sa më shumë projekte ekonomike, qoftë edhe duke bashkëpunuar me serbët ngushtësisht. Vetëm përmes diplomacisë dhe bashkëpunimit do të arrijnë të thithin projekte zhvillimore në mënyrë që të ngjallin shpresën. Vetëm duke e bërë Kosovën të jetueshme për shqiptarët, do të duket pa vlerë “zajednicë”. Të gjitha aksionet luftarake me bomba dhe me projektime folklorike kinse patriotike janë një imitim i shëmtuar i legjendave për mbrojtjen e trojeve, në një kohë që trojet nuk i hyjnë në punë as dreqit.
Opozita në Shqipëri ose agjencia e funeralit
E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri. Opozita këtu nuk hedh bomba tymuese në Parlament, por me anë të ligjërimit konstant ndërton një realitet në të cilin lëvizin kriminelë, banditë, trafikantë, hajdutë, ndërsa opozita shfaqet si një agjenci funerali që do të vijë dhe do t’i marrë zvarrë këta banditë, që do t’i hedhë në varr e kështu me radhë. Po e ilustroj këtë që sapo thashë me tekstin e Berishës dhe të Lulëzim Bashës botuar së fundi në faqet e tyre të profilit FB. Duke parë ato tekste, fjalët kyç janë: Berisha: lufta, trafiqe kriminale, kundërmojnë, dekompozim, funeral, pa dhënë shpirt, qeveri e pakallur, të japi shpirt, Jaguar luksoz për funeralin e tij. Revolucioni demokratik, për të kallur këtë qeveri. Basha: tërheqim zvarrë, larot e Tahirit. Ky ligjërim zotëron prej dy vjetësh dhe parlamenti shqiptar është kthyer në një Lindje të Mesme, ku lufta për të vrarë njëri-tjetrin nuk ka pushim. E kam thënë në krye se opozita si në Kosovë si në Shqipëri, po e vret shpresën.
Demokracia e vret apo e ngjall shpresën
Ne po jetojmë paradoksin më të madh, që do të thotë se demokracia, kjo ëndërr e madhe e shqiptarëve dhe Europa, pra ëndrra për t’u bërë si ajo, po na e vrasin shpresën. Përveç krizës ku është zhytur bota, koha që jetojmë është vërtet me shumë zhgënjime dhe me pak shpresë, por kjo që po ndodh si në Kosovë si në Shqipëri e ka një emër. Elitat politike në këto dy vende po e vrasin shpresën. Unë mendoj se përgjegjësinë më ta madhe e kanë opozitat si në Kosovë si në Shqipëri. Shpresa nuk ngjallet me anë të luftës. Opozita e Shqipërisë ka zgjedhur të fitojë duke shpallur luftë. Ligjërimet e mësipërme të Berishës dhe Bashës e shprehin më së miri këtë. Sipas këtij ligjërimi, Shqipëria do të nisë shumë shpejt luftën civile, opozita do të tërheqë zvarrë qeverinë dhe do ta kallë në varr, sepse qeveria është e mbushur me kriminelë dhe me banditë. Ok. Po e besojmë për një çast se është kështu. Po këta heronj që na ftojnë të rrëmbejmë armët e ta kallim në dhé qeverinë çfarë janë? Për fat të keq ata janë as më shumë e as më pak, por të dënuar me votë popullore që të largohen nga qeverisja, sepse ishin bërë të padurueshëm për shumicën e shqiptarëve. Qeveria që ka ardhur me votë mbarëpopullore nuk po i përmbush pritshmëritë dhe po shfaq shumë dobësi. Por kjo është demokracia. Në demokraci dobësia e qeverisë është një dhuratë për opozitën, e cila së bashku me opinionin publik (median, intelektualët dhe sondazhet) fillon të ndërtojë një alternativë qeverisëse, pra fillon të rindërtojë shpresën. Mirëpo, opozita nuk kërkon të ngjallë shpresën, ajo ka shpallur si objektiv të sajin luftën për të rrëmbyer pushtetin ose për të marrë godinën e Kryeministrisë. Po për cilin e do këtë pushtet? Kjo është e paqartë. Shumica mendojnë se ajo e do këtë pushtet dhe godinën e qeverisë që do ta marrë me armë për interesat e saj. Në këto kushte, shqiptarët janë të papërfaqësuar dhe pa shpresë. Shumica e atyre që ikin nga Shqipëria janë mbështetës të opozitës dhe ata largohen se opozita nuk i frymëzon më, se ajo po i zhgënjen dhe po i lë pa shpresë.
Gazeta “Shqip”
Top Channel