Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme për shkak të motit të keq, më në fund janë mbyllur provat zyrtare për “pole position”, të vlefshme për Çmimin e Madh të Amerikës edhe pse sesioni i tretë i tyre nuk është zhvilluar.
Pas kushteve të papërshtatshme të motit u vendos që radha e nisjes për garën e sotme të ishte ajo e sesionit të dytë të provave. Rosberg ishte më i shpejti, ndërsa i dyti do të niset Hamilton dhe më pas Ricciardo e Daniil Kyat.
Ndërsa Vettel duhet te shlyejë një penalizim prej 10 vendesh në nisje, çka do të thotë që sot ai do të qëndrojë në pozicionin e 15 para fikjes së dritave të semaforit. Piloti tjetër i Ferrarit, Raikonen do të niset i 18-i.
Reshjet e dendura të shiut ishin pengesa kryesore e zhvillimit të tyre gjatë ditës së shtunë, siç ndodh zakonisht gjatë fundjavave kur garohet për sportin më të ndjekur të automobilizmit, Formula 1, por mbeten gjithashtu një kërcënim edhe për zhvillimin e garës së sotme.
Gara për Çmimin e Madh të SHBA-ve, në Austin pritet të zhvillohet po gjatë ditës së sotme në orën 20:00 me orën tonë, e do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD.
Top Channel