F1, Hamilton shpallet kampion nëse…

23/10/2015 11:10

Lewis Hamilton mund të fitojë titullin e tij të tretë kampion në Formulën 1 që këtë fundjavë, në garën e Austin, në Texas (SHBA). Me penalizimin e Vettel dhe Raikkonen me 10 pozicione për shkak të ndërrimit të motorit në makinën e tyre Ferrari, gjërat mund të lehtësohen për pilotin britanik.

Megjithatë, Hamilton nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë. Sebastian Vettel, pavarësisht vështirësive që ka pista e Austin, nuk ka ndërmend të dorëzohet. Për këtë arsye, te Mercedes kanë filluar të bëhen edhe llogaritë për Hamiltonin, me qëllimin që ky i fundit të festojë që në pistën amerikane dhe kombinacionet nuk mungojnë.
 
Hamilton shpallet kampion bote në Texas nëse: 

1. Hamilton fiton dhe Vettel nuk renditet në vendin e dytë në garë
2. Renditet i dyti dhe Rosberg nuk fiton e Vettel nuk është mes 5 të parëve
3. Renditet i treti dhe Rosberg nuk ngjitet në podium e Vettel nuk është mes 6 të parëve
4. Renditet i katërti, Rosberg nuk ngjitet në podium dhe Vettel nuk renditet mes 8 të parëve
5. Renditet i pesti, Rosberg nuk është te 4 të parët e Vettel renditet pas vendit të nëntë.

Në rast se asnjë nga këto kombinacione nuk realizohen, atëherë takimi i Hamilton me titullin kampion do të shtyhet për në garën pasardhëse, që është Çmimi i Madh i Meksikës, në 1 nëntor.

Top Channel