Bayern dhe United, pazar në Madrid

23/10/2015 14:25

Bayern Munchen dhe Manchester United i hedhin sytë nga Madridi për merkaton e transferimeve. Sipas asaj që publikon tabloidi britanik “Mirror“, klubi bavarez së fundmi ka shfaqur interes për Gareth Bale, me synimin për të zëvendësuar Arjen Robben. Futbollisti uellsian vlerësohet nga drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë dhe nëse Guardiola largohet për t’i lënë vendin italianit Ancelotti, atëherë tratativat për transferimin e Bale në Mynih lehtësohen ndjeshëm.

Kjo edhe për faktin se italiani, gjatë kohës që ishte te Reali i Madridit, arriti ta ndihmojë sulmuesin të shfaqë më të mirën në fushën e lojës. Ndërkaq, vetë Bale nuk duket shumë i shqetësuar për zërat e merkatos, pasi është i përqendruar në riaftësimin e tij.

Përsa i përket Manchester United, e përditshmja “Mirror“ flet për një dëshirë të “Djajve të Kuq“ për të rikthyer në “Old Trafford“ portugezin Cristiano Ronaldo, ndërkohë që në orët e fundit po flitet për një interesim edhe për Messin. Sipas këtij tabloidi, Manchester United është gati të ofrojë 125 milionë euro për të siguruar shërbimin e yllit të Realit të Madridit, të cilin tifozët e kësaj skuadre nuk e kanë harruar. Por për Ronaldon është në garë edhe PSG, me klubin francez që e sheh 30-vjeçarin si alternativën më të mirë të Zlatan Ibrahimovic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA