Hije trukimi mbi Real-Barça, gjyqtari: Më kërkuan të favorizoj “galaktikët”

22/10/2015 04:30

“El Clasico” që do të luhet muajin e ardhshëm është përfshirë nga një hije trukimi. Një gjyqtar anësor është paraqitur në ambientet e policisë spanjolle për të dëshmuar se i është bërë presion që të favorizojë Realin në ndeshjen që është paraparë të luhet më 21 nëntor.

Identiteti i gjyqtarit po mbahet sekret nga zyrtarët e antikorrupsionit, të cilët mendojnë se dikush do të hakmerret ndaj tij, ndërsa është thënë se rasti po merret shumë seriozisht nga ata.

Zyrtarisht gjyqtarët për sfidën mes Realit dhe Barcelonës ende nuk janë zgjedhur, por duket se ata tashmë janë përcaktuar. Pikërisht gjyqtari kryesor i ndeshjes ka telefonuar kolegun e tij që do të ishte si gjyqtar anësor duke i thënë se Komiteti i Gjyqtarëve spanjollë kërkon që të favorizohet Reali.

Jose Angel Jimenez Munoz de Morales, anëtar i Komitetit të Gjyqtarëve, është akuzuar se ka telefonuar personalisht gjyqtarin anësor për t’i bërë akoma më shumë presion dhe për t’ia bërë të qartë se ndeshja e 21 nëntorit nuk duhet të nxirrte fitues katalanasit.

Mirëpo, Munoz de Morales ka mohuar akuzat duke thënë se nuk e dinë se nga kanë dalë. “Nuk ia kam idenë se nga dolën këto akuza që ngjajnë si historitë e romanëve të Kafaka-s”, ka thënë ai.

Por, deklarata që pretendojnë se Reali do të jetë “i përkëdheluri” i federatës këtë sezon ka bërë kohë më parë edhe trajneri i Atletico-s, Diego Simeone, që tha se “galaktikët” do ta fitojnë lehtësisht titullin.

“Kampionati është përgatitur për Real Madridi-n. Ata nuk mund të kalojnë shtatë vite me një titull të fituar. E them me keqardhje se nuk shoh ndonjë skuadër tjetër përpos Realit që mund të fitojë kampionatin”, kishte deklaruar argjentinasi në fillim të këtij sezoni.

Mirëpo, tifozët e Realit nxituan të hedhin poshtë pretendime të tilla, duke thënë se deri më tani skuadrës së tyre iu është akorduar vetëm një penallti, për ndryshim nga Barça që ka marrë 7 të tilla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA