Dhuna e huliganëve grekë, anulohet derbi Panathinaikos-Olimpiakos

22/10/2015 10:50

Huliganët grekë e kanë kthyer në fushëbetejë stadiumin “Apostolos Nikolaidhis” dhe rrugët rreth tij, duke u përleshur me policinë në mbrëmjen e së shtunës.

Për shkak të incidenteve të dhunshme është anuluar për herë të parë derbi më i madh në Greqi, ai midis dy ekipeve të kryeqyetit, Panathinaikos dhe Olimpiakos.

Konfrontimet kanë filluar rreth dy orë para ndeshjes kur një grup tifozësh të ekipit të Panathianikosit kanë dashur të hyjnë me forcë në stadium dhe më vonë disa prej tyre kanë hedhur fishekzjarre në këmbët e lojtarëve të Olimpiakosit, të cilët kishin dalë për të bërë nxemjen në fushë.
 
Megjithëse pak më vonë situtata dukej se ishte qetësuar, gjyqtari i ndeshjes ka njoftuar për anulimin e saj, pasi shefi i policisë përgjegjës për derbin dhe forcat policore në stadium nuk kanë garantuar sigurinë e ndeshjes dhe kjo ka shkaktuar një shpërthim të dhunës.

Dhjetëra huliganë më pas kanë hyrë me forcë në fushë dhe janë përleshur me policinë. Të paktën 50 persona janë shoqëruar në polici dhe 16 prej tyre janë arrestuar, ndërsa në përleshje tre policë janë lënduar.

Presidenti i klubit të Panathinaikosit dhe aksioneri kryesor i tij, Janis Alafouzos, ka deklaruar se do të japë dorëheqjen në një mbledhje të bordit drejtues në mesditën e së dielës dhe propozon të tërhiqet ekipi i tij nga kampionati grek.

Panathinaikosi, që ka vite që nuk mposht dot hegjemoninë e rivalit të tij kryesor Olimipakos, ndodhet tashmë përballë dënimeve të rënda nga Federata Greke e Futbollit, ndërsa pritet edhe reagimi i zv/ministrit të Atletikës, Stavros Kontonis.

Sipas kodit të ri disiplinor, shumë më i ashpër krahasuar me rregulloret e viteve të shkuara, nëse ekipi konsiderohet fajtor për anulimin e ndeshjes, do të humbë derbin në tavolinë, do t’i hiqen 3 pikë, do të dënohet me 2 deri ne 4 ndeshje me dyer të mbyllura dhe me një gjobë 75-150.000 euro.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel