Villar dhe Beckenbauer po hetohen nga FIFA

21/10/2015 18:15

Komisioni i Etikës në FIFA ka njoftuar se ka nisur hetimin ndaj presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit dhe njëkohësisht zëvendëspresidentit të FIFA-s dhe UEFA-s, Angel Villar, si dhe ndaj ish-kreut të Komitetit Organizativ të Botërorit të Gjermanisë, Franz Beckenbauer.

Nuk janë zbuluar arsyet e nisjes së hetimit, por mendohet se ka lidhje me parregullsitë në zgjedhjet e Botërorit të Rusisë dhe Katarit.

Në këto momente, Villar është drejtuesi me më shumë fuqi në futbollin botëror. Përveçse zëvendëspresident i FIFA-s dhe UEFA-s, Villar është edhe kreu i Komisionit të Arbitrave në të dy këto organizma, kreu i Komitetit Organizator të “Rusi 2018” dhe anëtar ekzekutiv i Komitetit të Emergjencave në FIFA.

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini u pezullua nga FIFA për 90 ditë nga të gjitha aktivitetet, për shkak të përfshirjes së tij në skandalin e FIFA-s. Javët e fundit u zbulua se, Sepp Blatter kishte derdhur për llogari të francezit një shifër prej dy milionë frangash zvicerane, ndërsa Platini pretendon se kjo shumë është shpërblim për një punë të kryer në favor të FIFA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA