Përuroret çerdhja në Kodër Kamëz, Veliaj: Rikonstruksioni, me nismën “Adopto një çerdhe”

19/10/2015 00:00

Ditën e lumturimit të Nënë Terezës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka ndarë me të vegjlit e çerdhes numër 52 në Kodër Kamëz, godina e së cilës u rikonstruktua falë nismës “Adopto një çerdhe”.

“E gjithë nisma ‘Adopto një çerdhe’ përkon gjithashtu edhe me këtë javë të solidaritetit, në të cilën duam të përkujtojmë kujtimin e Nënë Terezës dhe ditën e saj, jo me fjalime por me vepra konkrete në komunitet”, u shpreh Erion Veliaj.

Për kryebashkiakun Veliaj, përurimi i ambienteve të reja në ditën e lumturimit të Nënë Terezës është simbolika më e mirë e solidaritetit të shoqërisë.

“Ndaj dhe besoj se, të gjithë ata që kontribuuan tregojnë se, ne jemi pasardhës të shenjtores jo me fjalë, por me vepra konkrete”, vijoi më tej Veliaj.

Ndërkaq, biznesmeni Shpresim Bajraktari, administrator i “Speed Taxi”, ai që kontribuoi në rikonstruksionin e kësaj çerdheje, shprehet se ky është një detyrim, që çdo sipërmarrës duhet të bëjë për edukimin e brezit të ri.

“Faleminderit kryebashkiak, që na dhe mundësinë të kontribuojmë për komunitetin tonë. Është një kënaqësi e veçantë kur punon për një vend ku rriten fëmijët e vegjël, që janë edhe e ardhmja jonë. Normalisht shumë gjëra janë të thjeshta për t’u zgjidhur, por thjesht duhet të na shkojë mendja për to. Urime që iu shkoi mendja për një bashkëpunim mes nesh për t’i zgjidhur këto probleme”, u shpreh Shpresim Bajraktari, biznesmen.

Pas nismës “Adopto një çerdhe”, nga e cila u rikonstruktuan 31 çerdhe në kryeqytet, Bashkia e Tiranës do të nisë një tjetër operacion të ngjashëm, por këtë herë me kopshtet dhe shkollat.

Top Channel