Paris Saint Germain do të përballet këtë mesjavë me Realin e Madridit në Ligën e Kampioneve. Ai që e përjeton në një mënyrë të veçantë këtë supersfidë është pikërisht Angel di Maria, protagonist i madrilenëve në fitoren e titullit të 10 kampion të Evropës në vitin 2014. Argjentinasi, në një intervistë për “Canal+”, deklaroi se ende nuk e ka harruar këtë triumf me skuadrën e “Los Blancos”.
“Nëse do të shënoj kundër Realit, nuk do të festoj. Nuk e kam harruar kurrë triumfin në Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit. Është diçka e pamundur për ta bërë këtë. Do të jetë diçka e këndshme për mua të luaj kundër Realit, kjo sepse në sfidën e fundit të zhvilluar në Bernabeu, përpara se të largohesha te Manchester United, të gjithë tifozët u ngritën në këmbë për të më nderuar”, tha argjentinasi.
Di Maria më pas shtoi se PSG-ja i ka të gjitha mundësitë për të fituar aktivitetin më të rëndësishëm evropian për klube, duke parë edhe futbollistët që ka në përbërje kjo skuadër: “Me lojtarët që kemi, nuk do të jetë aspak çudi nëse triumfojmë në Ligën e Kampioneve”.
Top Channel