Supersfida e njohur ndryshe si “Derbi i Italisë”, Inter-Juventus ka përfunduar me rrjeta të paprekura 0-0 në “San Siro” mbrëmjen e së dielës.
Ndeshja ishte e vlefshme për javën e tetë të Serisë A, ku dy ekipet kanë ndarë nga një pikë. Ndoshta ky rezultat në këto pozita që ndodhen ekipet është më i favorshëm për Interin, i cili ruan diferencën e 8 pikëve nga Juventusi, i cili megjithëse mban vendin e 14 është kampioni në fuqi i Italisë dhe mbetet për t’u vlerësuar. Zikaltrit ndodhen në vendin e dytë të renditjes me 17 pikë, po aq sa ka edhe Roma, ndërsa renditja udhëhiqet nga Fiorentina me 18 pikë.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë nga të dyja ekipet. Rastet për shënim nuk munguan, por për t’u veçuar ishte një goditje diagonal nga jashtë zone e kroatit Brozovic, e cila u devijua nga Bufon dhe më pas u përplas në shtyllë.
Në nisjen e pjesës së dytë ishte Juventusi më pranë golit. Këtë herë fati ishte me Interin, pasi gjuajtja e Cuadrado-s u devijua me këmbë nga slloveni Handanovic, ndërsa topi më pas kali vetëm pak centimetra larg nga shtylla.
Në fundin e takimit, vendasit e Interit patën dy mundësi të mira shënime me anë të goditjeve të dënimit në hyrje të zonës. Por të dyja ekzekutimet ishin të pasakta dhe ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura 0-0.
Top Channel