Një tjetër Arbitrazh zgjidhet me mirëkuptim

17/10/2015 15:20

Qeveria shqiptare ka zgjidhur një tjetër konflikt tregtar përmes mirëkuptimit, pasi kishte humbur më parë gjyqin në Arbitrazh. Këtë herë bëhet fjalë për një përplasje me kompaninë kroate “Dalekovod”, e cila operon në fushën e energjisë.

Lajmi është bërë publik nga agjencia rajonale e lajmeve “See News” dhe konfirmohet dhe nga burime zyrtare të qeverisë. Marrëveshja nuk është bërë publike, por sipas “See News”, që citon kompaninë kroate, përmes saj qeveria shqiptare ka marrë përsipër t’i paguajë “Dalekovod” 6.8 milionë euro, për të mbyllur konfliktin që zë fill tre vjet më parë dhe në qendër të të cilit qëndron ndërtimi i linjës së transmetimit me Malin e Zi. 

“Dalekovod” u kontraktua në vitin 2007 nga qeveria e asaj kohe për të ndërtuar linjën 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë. Projekti u zvarrit pesë vjet dhe ndërtimi i linjës do të përfundonte vetëm në vitin 2012. Sipas kompanisë, shkaku i vonesës ishin autoritetet shqiptare, të cilat nuk iu përmbajtën kushteve të kontratës, duke mos nxjerrë në kohë lejet dhe liçencat për ndërtimin e linjës, çka solli vonesën trevjeçare të projektit. Për këtë arsye, në vitin 2012 kompania e paditi qeverinë në Arbitrazhin e Vjenës.

Gati një vit më parë, gjykata vendosi në favor të kompanisë kroate duke e detyruar qeverinë shqiptare t’i paguajë asaj 7.5 milionë euro si dëmshpërblim. Burime nga OST i thanë Top Channel se pavarësisht fitores, kompania kroate e apeloi vendimin duke kërkuar 12 milionë euro.

Sipas tyre, menjëherë pas kësaj qeveria shqiptare, përkatësisht Ministria e Energjetikës dhe Avokatura e Shtetit nisën negociata me “Dalekovod”, të cilat kanë përfunduar pak ditë më parë.

Edhe pse kishte fituar dëmshpërblimin prej 7.5 milionë euro nga vendimi i arbitrazhit, “Dalekovod” ka pranuar ofertën e qeverisë për 6.8 milionë euro, çka i mundëson asaj një arkëtim më të shpejtë të fondeve, por mbi të gjitha i lë asaj të hapur mundësinë për të kontraktuar sërish punë të tjera nga qeveria shqiptare, të cilat do të ishin më të vështira nëse palët do të ndaheshin me vendimin e arbitrazhit.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se marrëveshja e negociuar nga Ministria e Energjisë dhe Avokatura e Shtetit është miratuar me vendim qeverie dhe i është dërguar për nënshkrim përfundimtar Operatorit të Transmetimit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA