Futbolli shqiptar vazhdon të ketë një vëmendje të veçantë nga ana e UEFA-s, kjo falë Skënderbeut dhe skuadrës kombëtare, që kanë arritur deri në fazën e grupeve të Europa League dhe në finalet e Euro 2016. Për këtë arsye, qeveria e futbollit evropian ka bërë një pasqyrim të të gjitha paraqitjeve të futbollistëve shqiptarë në Evropë, duke publikuar një sërë statistikash.
Sipas portalit uefa.com, lojtari shqiptar që ka zhvilluar më shumë ndeshje në Ligën e Kampioneve është Besnik Hasi, aktualisht trajner i Anderlehtit, me 35 sfida të tilla, i ndjekur nga Altin Haxhi me 21 dhe Lorik Cana me 20.
Shënuesi më i mirë shqiptar në rang klubesh në Champions League, ku përfshihen edhe sfidat kualifikuese, është Hamdi Salihi me 6 gola, i ndjekur nga Devi Muka me 5 dhe Alban Bushi me 4. Në total, në të gjitha aktivitetet evropiane për klube, futbollisti që ka zhvilluar më shumë ndeshje është Lorik Cana, me 56 të tilla. Më pas vjen Admir Teli dhe Ansi Agiolli, respektivisht me 48 dhe 45 ndeshje. Përsa u përket shënuesve, Hamdi Salihi është ai që ka shënuar më shumë gjithsej, 14 gola, duke lënë pas Kliton Bozgon dhe Indrit Fortuzin.
Por UEFA ka nxjerrë edhe disa statistika të tjera. Kështu, Igli Tare është i vetmi futbollist shqiptar që ka luajtur në finalen e një aktiviteti evropian, në vitin 2001, kur Brescia luuajti në finalen e Kupës Intertoto me PSG, ndeshje e fituar nga kjo e fundit falë golave në fushë kundërshtare.
I pari lojtar që ka luajtur në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve është Bledar Kola me Panathinaikos, në shtator 1998. Ndërsa i pari trajner shqiptar që drejtoi një skuadër në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve është Besnik Hasi me Anderlehtin, sezonin e kaluar.
Top Channel