Raul tërhiqet nga futbolli

16/10/2015 11:10

Raul Gonzalez Blanco ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist. Ish-sulmuesi i Realit të Madridit, i cili aktualisht luan për New York Cosmos, bëri të ditur se në muajin nëntor, atëherë kur të përfundojë edhe Liga Kombëtare e Amerikës Veriore, do të varë këpucët në gozhdë.

Spanjolli 38-vjeçar, i cili ka fituar një sërë trofesh me fanelën e “Los Blancos”, ku përfshihen edhe 3 Champions League dhe 6 tituj kampionë të Spanjës, e bëri debutimin e tij në futbollin amerikan në muajin prill.

“Ishte një vendim i vështirë, por mendoj se ka ardhur momenti që të tërhiqem. Tani, ajo që më duhet është që të qëndroj më shumë kohë pranë familjes dhe fëmijëve të mi. Dua të kaloj më shumë fundjava me ta”, tha Raul.

New York Cosmos është fitues i sezonit pranveror në kampionatin NASL, duke humbur vetëm 1 ndeshje në 18 muajt e fundit. Në të njëjtën kohë, Raul ka mbajtur pjesërisht edhe rolin e këshilltarit teknik në akademinë e të rinjve të skuadrës njujorkeze, detyrë të cilën ai pritet ta marrë me kohë të plotë, pasi të ketë përfunduar sezoni.

Raul Gonzalez Blanco është një prej emrave më të njohur në futbollin evropian. Iberiku ka shënuar 323 gola në 741 ndeshje me Realin, ndërkohë që me përfaqësuesen spanjolle ka luajtur 102 ndeshje duke shënuar 44 gola.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA