Rama mbron paktin me CEZ: Shpëtuam nga “Vaterloja” financiare në Arbitrazh

16/10/2015 09:55

Kur çështja “CEZ” është rikthyer në qendër të debatit politik, kryeministri Rama deklaroi në ministerialin e Komunitetit të Energjisë se marrëveshja me kompaninë çeke shpëtoi financat e shtetit nga një borxh i papërballueshëm që do të krijohej pas përballjes me të në arbitrazh ndërkombëtar.

“Falë komunitetit të energjisë, mbështetjes teknike dhe morale, arritëm një marrëveshje me kompaninë me të cilën rrezikonim të përballeshim në arbitrazh që do të ishte vaterloja e financave shqiptare dhe Shqipëria siç kishin nënvizuar konsulentët ligjorë të angazhuar nga qeveria nuk kishte asnjë shans të fitonte”, tha Rama.

Kompania e shpërndarjes në vitin 2007, tha kryeministri, e nisi rrugëtimin me libra të pastër për të përfunduar në 2013-n me 1 miliardë dollar borxhe, 52 % humbje për shkak të vjedhjeve dhe rrjetit të amortizuar që në 85 % të tij ishte mbi 40-vjeçar. Shpëtimi i sektorit energjetik nga kolapsi, tha kryeministri Rama ishte kusht i vendosur nga institucionet ndërkombëtare për përfitimin e fondeve të investimit.

“I jam mirënjohes të gjithë atyre që në vjenë siguruan mjedisin ideal që të arrinim marrëveshjen për të cilën jemi krenar sepse kemi realizuar bazën e një historie suksesi, nga 52 për qind humbje që kompensohen në shumë shkolla kopshte..investime..për të mbushur arkën bosh, sot kemi rekord historik, 25.3 % humbje”, tha Rama.

“Kemi miratuar ligjin për energjinë elektrike dhe gazin duke transpozuar paketën e tretë të energjisë, shkalla e energjisë së papaguar dhe vjedhjes po bie ndërsa kompanitë e energjisë po riforcohen”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Qeveria synon që Shqipëria të forcojë kapacitetet e interkonjeksionit duke shërbyer si pikë nevralgjike në mbështetjen e një tregu të përbashkët rajonal, duke mos hequr dorë nga investime të tjera si ai i linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Itali si pjesë e zgjerimit në një tjetër treg më të gjerë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA