Chelsea është në një kaos total. Përveç rezultateve negative, te “Blutë” ka shpërthyer edhe çështja Mourinho. Sipas asaj që publikohet te “London Evening News”, një pjesë e futbollistëve të Chelsea kanë filluar të dalin kundër teknikut portugez. Bëhet fjalë për Matic, Oskar, Azpiliqueta dhe Obi Mikel, të cilët kanë shprehur pakënaqësi në drejtim të Mourinhos për shkak të aktivizimit të pakët.
Ai që shihet me kuriozitet është qëndrimi i kapitenit John Terry, i cili edhe pse në ndeshjet e fundit ka qenë në pankinë, deri tani ka ruajtur një raport të mirë me 52-vjeçarin, por gjërat mund të ndryshojnë edhe për të. Gjithsesi, besnikët nuk i mungojnë Mourinhos dhe mes tyre spikasin Fabregas, Diego Costa, Hazard dhe Willian. Kjo parabolë në zbritje për Mourinhon në raportet me lojtarët nisi pas çështjes Carneiro. Shumë prej tyre i vlerësonin në maksimum kompetencat dhe profesionalizmin e mjekes së skuadrës londineze dhe nuk e pritën aspak mirë zgjedhjen e luzitanit për ta larguar atë.
Por nuk mbyllet me kaq. Vetë Mourinho duket se i ka hedhur benzinë zjarrit me deklaratat e lëshuara gjatë prezantimit të librit të tij.
“Nëse do të më pyesin se edhe përsa kohë do të jem trajner, unë do të përgjigjem edhe për 15 vite, por nuk do ta mbyll karrierën në Londër, futbolli modern nuk e lejon një gjë të tillë”, deklaroi Mourinho.
Ndërkaq, Chelsea këtë fundjavë do të luajë një ndeshje delikate me Aston Vilën, ndërsa më pas e pret transferta e Kievit në Ligën e Kampioneve.
Top Channel