Me mbylljen e grupeve kualifikues është koha e bilanceve. Arritja historike në fazën finale të Europianit bën që Shqipëria të jetë skuadra më e mirë e Euro 2016. Vlerësimi nuk vjen vetëm nga opinioni në Shqipëri, por merr më tepër peshë, sepse diçka të tillë e thotë edhe UEFA. Konfederata Europiane publikoi një artikull, duke vlerësuar më të mirët e edicionit, me kuqezinjtë që pozicionohen në majën më të lartë të podiumit për ekipe.
UEFA theksonte se në evenimentin e zgjeruar me 24 skuadra, ka disa ekipe debutuese si Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Sllovakia. Por, nëse të gjitha këto skuadra kanë luajtur në Kupën e Botës dhe Islanda arriti deri në fazën play-off të Brazil 2014, për Shqipërinë kjo është një ecuri e paprecedentë.
Shqipëria i nisi kualifikueset në vazon e pestë, e pozicionuar në vendin e 41-të në renditjen e UEFA-s, ndërsa pjesëmarrje në fazën finale të Europianit ishin regjistruar nga Kombëtarja U-18 në vitin 1982 dhe nga përfaqësuesja e 16-vjeçarëve në vitin 1995.
Lojtari më i mirë i kualifikueseve të Euro 2016 u vlerësua Robert Lewandowski. Sulmuesi i Bayern Mynih-ut e mbylli edicionin me 13 gola të realizuar, duke u shpallur golashënuesi më i mirë, ndërsa Polonia me 33 rrjeta ishte ekipi që shënoi më tepër në grupe.
Rekordi personal i takon San Marinos, që siguroi 1 pikë në kualifikuese pas barazimit 0-0 me Estoninë, duke i dhënë fund ecurisë me 58 humbje radhazi. Si rezultatin më të mirë, UEFA vlerësoi fitoren 0-1 të Islandës në fushën e Holandës.
Përzgjedhja erdhi me argumentin se suksesi i një të vogle përballë një gjigandi europian erdhi në ndeshjet e fundit, pasi rezultatet surprizë janë të shpeshtë në startin e kualifikueseve, si në rastin e fitores së Shqipërisë në fushën e Portugalisë në debutim.
Goli më i mirë u vlerësua ai i Ilkay Gündogan, që i dha Gjermanisë fitoren 3-2 përballë Skocisë, që rezultoi vendimtare për kualifikimin e “panzerave” në Euro 2016.
Vlerësim edhe për Gjibraltarin që pasi u bë anëtari i 54-t i UEFA-s luajti eliminatoret e para, duke i humbur të dhjetë ndeshjet në grup ku pësoi 56 gola. Hapësirë edhe për ecurinë e Spanjës me 36 ndeshje pa humbje, që u ndërpre në tetorin e kaluar nga Sllovakia, e cila mposhti kampionët e Europës 2-1. Fotografia më e mirë u zgjodh ajo e Arda Turan. Kapiteni nuk u përmbajt në festime pas kualifikimit dramatik të Turqisë.
Top Channel