Me kualifikimin e Shqipërisë në finalet e kampionatit europian Francë 2016, Gianni De Biasi është vendosur në qendër të mediave italiane.
Pas intervistës për “Gazzetta Dello Sport” dhe “Corriere Dello Sport”, trajneri i kuqezinjëve ka folur këtë herë për portalin e tifozëve lacialë, “La Lazio Siamo Noi”.
Në intervistën dhënë për këtë portal, De Biasi flet për arritjen historike, tifozët, skuadrën dhe familjen, ndërsa cek për një moment edhe raportin me Igli Taren, sot drejtues teknik i Lacios, e dikur “nxënës” i tij.
“E kam stërvitur. Pak kohë më parë kemi folur në telefon. Është gjithmonë pranë kombëtares sonë dhe është i lumtur për ne, për suksesin tonë. Kam folur menjëherë pasi jam thërritur për të stërvitur kombëtaren shqiptare. Që prej atëherë kemi folur akoma më shumë. Ai na ndjek vazhdimisht dhe na mbështet fort”, thotë De Biasi.
Trajneri i kuqezinjve pyetet në lidhje me karakterin e Igli Tares dhe sesa e njihte ai atë në kohën kur e stërviste.
“Ishte një tip që nuk dorëzohej kurrë. Këmbëngulte në forcën fizike. Ishte një lojtar i mirë dhe në fazën ofensive dhe ndihmonte shumë grupin në momentet e vështira”, thotë De Biasi.
De Biasi ka edhe një propozim interesant (me shaka) për Igli Taren.
“Nëse dëshiron të stërvisë kombëtaren, mjafton të më bëjë një zë dhe ndryshojmë rolet. Ai bëhet trajner i Shqipërisë dhe unë marr detyrën e tij tek Lacio. Do të ishte një shkëmbim i drejtë, fundja ai kthehet në vendlindje, edhe unë në vendlindje”, thotë De Biasi.
Top Channel