Shqipëria përballë Kroacisë dhe Bullgarisë. Këta janë emrat e kundërshtarëve me të cilët po punohet për të zyrtarizuar miqësoret e muajit nëntor. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmuan për “SuperSport” bisedimet me homologët e të dy vendeve ballkanike, për ndeshje zyrtare në datat e lira të muajit nëntor.
Me mbylljen e edicionit, që u kurorëzua në mënyrë të suksesshme me kualifikimin në fazën finale të Euro 2016, kuqezinjtë do të vijojnë punën me përgatitjet drejt turneut në Francë. Pjesëmarrja në Europian, ku luajnë ekipet më të mira të kontinentit, bën të detyrueshme që edhe rivalët të jenë cilësorë.
Kroacia është një skuadër që nuk ka nevojë për koment. Një ekip me mjaft yje në kontingjent dhe gjithmonë protagoniste në evenimentet madhorë të futbollit. Bisedimet për miqësoren me Kroacinë kanë nisur prej javësh, por gjithçka mbeti pezull.
Ndeshja varej nga ecuria e kroatëve në Grupin H kualifikues. Bileta direkte në Francë, e siguruar pas fitores minimale me Maltën, të martën në mbrëmje i hapi rrugën zhvillimit të sfidës.
Përsa i takon Bullgarisë, çështja ndryshon. Edhe bullgarët ishin të angazhuar në Grupin H, ku u pozicionuan në vendin e katërt dhe mbyllën edicionin. Kjo zgjedhje vjen logjike për arsye se skuadra Ivaylo Petev është mjaft e ngjashme për nga kualiteti dhe loja me mjaft ekipe pjesëmarrëse në Europian.
FSHF vazhdon negociatat me federatat kroate dhe bullgare dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi i miqësoreve dhe ditët kur do të luhen sfidat. Data e lira të UEFA-s nisin nga 12 deri më 17 nëntor, kur do të zhvillohen katër sfidat e fazës play-off.
Kushti i vetëm i Shqipërisë, është që një prej dy ndeshjeve të luhet në “Elbasan Arena”.
Top Channel