Pirelli duket se do të jetë kompania që do të furnizojë me goma skuadrat e Formulës 1 edhe pas vitit 2016. Drejtuesit e firmës italiane zhvilluan një takim me Bernie Ecclestone në Soçi në lidhje me këtë çështje, duke arritur edhe një marrëveshje për zgjatjen e bashkëpunimit mes tyre deri në vitin 2019.
Drejtori Sportiv i Pirellit, Paul Hembry deklaroi se është i kënaqur me arritjen e një akordi të tillë, por shtoi se duhet ende formalizimi nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).
“Për këtë çështje është një procedurë e FIA-s që duhet të zbatohet. Për momentin, ajo që kemi firmosur është një marrëveshje në aspektin komercial. Vendimi përfundimtar do të merret në muajin dhjetor nga Këshilli Botëror i FIA-. Gjithsesi, mund të them se ky organizëm ka miratuar që të firmosim kontrata të karakterit të marketingut, kështu që e gjithë kjo histori do të jetë vetëm çështje procedure”, tha Hembry.
Top Channel