Trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi ka falur sulmuesin 18-vjeçar të Interit, Rey Manaj, pasi ky i fundit reagoi ndaj deklaratave të strategut italian të një ditë më parë.
Më këtë rast edhe çështja e shumë përfolur e këtyre dy ditëve ka marrë fund. Në një intervistë për “Inter Channel”, Manaj i ka kërkuar falje publike trajnerit italian, duke thënë se ishte e tëra një keqkuptim.
“Doja para së gjithash t’i kërkoja falje Gianni De Biasi-t, trajnerit të Kombëtares shqiptare. Mu përcollën deklarata të shtrembëruara dhe gabova që nuk i verifikova, jam i ri dhe impulsiv, por dhe intelegjint, ndaj reflektova gjatë natës dhe kuptova se kam gabuar. Në të ardhmen nuk do t’i përsërisë më gabime të tilla. Pas pak ditësh do t’i telefonoj De Biasit për t’i folur personalisht. Shpresoj që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt, pasi gjithçka ishte një keqkuptim me mediat dhe gazetarët”, deklaroi Manaj.
Ndërkohë, De Biasi ka thënë se Manaj nuk ka pasur nevojë që të kërkojë falje, duke u shprehur se me mesazhin që Rey i ka dërguar, tregon se sa shumë ai e do Kombëtaren.
“Më bëhet qejfi që ka kërkuar falje, por nuk ishte e nevojshme që ta bënte. Ka treguar pjekuri. Sinqersiht besoj se djaloshi ka keqkuptuar. Manaj më ka dërguar vetëm një mesazh, por kjo është diçka natyrale dhe pozitive, kështu që nuk bën gjë tjetër veçse tregon se sa shumë e do Rey Kombëtaren dhe sa dëshira ka që të hyjë dhe të bëjë pjesë në këtë grup. Natyrisht që ajo që vlen më shumë është fusha, por ne po e ndjekim dhe e di që ka shumë kualitet”, ka thënë italiani.
Më pas de Biasi i është përgjigjur edhe një pyetje më konkrete. A ekzistojnë mundësitë që ta shohim Manajn në Europianin e ardhshëm. “Siç thashë, do të varet nga fusha, por dyert e kombëtares për Reyn sigurisht që janë të hapura”, ka përfunduar ai.
Top Channel