“Le të flasim për Shqipërinë! Është një vend i vogël, 50 milje larg Italisë, i cilësuar si shteti më i mbyllur i Evropës nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Hyri dalëngadalë në botën moderne pas rënies së Murit të Berlinit dhe ka një popullsi më pak se 3 milionë banorë”.
Kështu e nis “Daily Mail” artikullin e publikuar për Shqipërinë, vendin e vogël që arriti një sukses historik, duke u kualifikuar për herë të parë në një kampionat Evropian pas fitores 3-0 me Armeninë në Erevan.
“Festa shpërtheu kudo dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Nuk është e nevojshme të thuhet se ky është momenti më i madh i futbollit shqiptar, kjo sepse “Shqiponjat e zeza”, siç njihen ndryshe, kurrë më parë nuk e kishin arritur diçka të tillë”, vijon “Daily Mail”, që bëri edhe një analizë të asaj që ndodhi në përfaqësuesen shqiptare, duke nisur fillimisht me lidhjet që kjo kombëtare ka me Italinë.
“Lidhja është e fortë. Pas dekadash ndarjeje, Shqipëria dhe Italia gëzojnë një fqinjësi të mirë në aspektin politik, por edhe ai futbollistik nuk mbetet pas. Disa prej lojtarëve kuqezi luajnë në Serinë A, siç është Etrit Berisha me Lazion dhe Elseid Hysaj me Napolin, pa harruar këtu trajnerin e kësaj kombëtareje, Gianni De Biasi”, shkruan tabloidi.
Incidentet e ndodhura në Beograd në sfidën me Serbinë ishin një tjetër çështje e prekur nga “Daily Mail”, që theksoi se ajo çfarë ndodhi në mbrëmjen e 14 tetorit të vitit 2014 “shkaktoi dhe tensione politike. Përleshjet mes lojtarëve, tifozëve dhe punonjësve të stadiumit shpërthyen pas shfaqjes së dronit me banderolën që nënkuptonte Shqipërinë e Madhe, duke vënë në rrezik jetën e futbollistëve shqiptarë. Muaj më vonë, CAS-i i dha 3 pikët Shqipërisë, pikë këto që rezultuan vërtet vendimtare”.
“Shqipëria është një skuadër që ka aktualisht një brez lojtarësh të rinj e të talentuar dhe që priten të spikasin në Francë. Tabloidi britanik përmend disa prej tyre si Berat Xhimshiti, i cili shënoi golin e dytë me Armeninë, një gol i rëndësishëm ky, apo Ergys Kaçen që shënoi në fitoren në miqësoren ndaj Francës.
“Shqipëria gjithnjë ka qenë nga ato vende të vogla dhe që 6 vjet më parë ishte në vendet 90, por këta lojtarë bënë që ajo të bëjë hapa galopantë duke mundur Portugalinë, Francën, duke barazuar dy ndeshjet me Danimarkën për t’u ngjitur në vendin e 32 në botë”, shkruan “Daily Mail”.
Top Channel