Cristiano Ronaldo i qëndron besnik Realit të Madridit. Sulmuesi portugez, në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca” deklaroi se ëndrra e tij është që të mbyllë karrierën te “Los Blancos”, edhe pse kontrata e tij skadon në vitin 2018.
“Ëndrra ime është që t’i jap fund karrierës sime te Reali. Nëse kujdesesh për veten, mund të luash deri në moshën 40-vjeçare. Unë personalisht dua të jem në fushat e lojës edhe për 5-6 vjet të tjerë dhe plani im është që të vazhdoj të shënoj gola. Ndihem shumë mirë dhe i dobishëm te Reali i Madridit dhe unë dua të fitoj ende trofe këtu”, tha sulmuesi portugez.
Cristiano Ronaldo e fitoi trofeun e Këpucës së Artë për të katërtën herë në karrierën e tij, gjë që nuk është arritur më parë nga askush tjetër.
“Këpuca e Artë është një ndër trofetë më të rëndësisshëm për mua, sepse detyra e një sulmuesi është që të shënojë gola. Të jesh 4 herë shënuesi më i mirë në Evropë është një nder për mua. Unë e konsideroja shumë të rëndësishme. Është diçka që më pëlqen sepse në fund marr frutet e punës sime. Shpresoj që të vazhdoj në këtë mënyrë”, shtoi Cristiano.
Top Channel