Kosovë, qeveria: Aktet anarkiste dëmtojnë vendin

13/10/2015 11:55

Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen e saj për dhunën që grupe militantësh të partive opozitare ushtruan një natë më parë ndaj agjentëve të policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kushtetuese.

“Aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e lëvizjes Vetëvendosje dhe të përkrahur nga partitë e tjera opozitare cënojnë rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore, si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, thuhet në një deklaratë.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se dënon ashpër sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit dhe garantimit të rendit dhe sigurisë, “të mandatuara që aktivitetin e fushëveprimit të tyre ta ushtrojnë të lira nga ndërhyrjet dhe dhuna”.

Gjithashtu, ekzekutivi kosovar i bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga “veprimet anarkike” dhe përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit, “me qëllim që të dalin mbi ligjin dhe që të realizojnë axhendat e tyre politike ditore, duke vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe vendit”.

Në njoftimin zyrtar thuhet më tej se, nga reagimi i mbështetësve të Vetëvendosjes mbetën të plagosur disa zyrtarë policie, ndërsa u dëmtuan godinat e institucioneve publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA