Prokuroria e Kosovës ka bërë të ditur se ndalimi i deputetëtit të Vetëvendosjes Albin Kurti për marrje në pyetje është bërë me urdhër të një prokurori nga Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Përmes një komunikate për shtyp, prokuroria ka njoftuar se ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorimi të armëve”.
“Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe marrja në pyetje e deputetëve të dyshuar. Për rrjedhojë, pas urdhërit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Sipas prokurorisë, deputeti Albin Kurti është pyetur në ambjentet e stacionit policor në prani të avokatit mbrojtës dhe menjëherë më pas është liruar me procedurë të rregullt.
Prokuroria bën të ditur se hetimet për rastin e hedhjes së gazit lotësjellës në sallën e Kuvendit janë duke vazhduar.
Top Channel