Elbasan, ariu dëmton parcelat me gështenja në Qerret

13/10/2015 11:00

Fidanet e rinj të gështenjave në fshatin Qerret të Elbasanit janë shkatërruar. Banorët e dinë se kush është shkaku. Sipas tyre, janë një ose disa arinj që këtë herë sheshuan katër hektarë me pemë të reja.

Prej pesë vitesh në këtë zonë, në Labinot Mal, arinjtë e egër sulmojnë shpesh të mbjellat dhe bagëtitë. Banorët kanë kërkuar ndihmë, por askush nuk i ka ndihmuar dhe për këtë kanë zgjedhur ta trembin turmën e arinjve duke vënë muzikë me volum të lartë çdo natë.

Vetë banorët e kanë të pamundur të mbrohen pasi vrasja e ariut është e ndaluar me ligj dhe për këtë dënohesh. Ndërkohë, në mungesë të ndërhyrjes nga ndonjë institucion në fshatin Qerret, çdo natë dëgjohet muzika që vendoset për të trembur arinjtë.

Por sipas banorëve, kjo mënyrë ishte efikase në fillim, por së fundmi arinjtë janë mësuar me tingujt e fortë të pogonishtes dhe në vend që të largohen kanë shtuar dëmet në këtë fshat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA