Supersfida Inter-Juve, Pogba e Morata mund të luajnë

12/10/2015 00:00

Massimiliano Allegri merr disa lajme të mira nga futbollistët e tij. Trajneri i Juventusit ka shumë të ngjarë, që të ketë në dispozicion Paul Pogba dhe Alvaro Moratan për supersfidën e kësaj fundjave në Serinë A, kundër Interit.

Sipas asaj që publikohet nga e përditshmja “Tuttosport”, mesfushori francez dhe sulmuesi spanjoll po punojnë fort për të qenë në gatishmëri për sfidën e së dielës me zikaltrit.

Gjithsesi, Allegri preferon të tregohet i kujdesshëm dhe, për këtë arsye, ai ka menduar edhe për alternativat e këtyre dy futbollistëve. Lemina dhe Sturaro cilësohen si zëvendësuesit e Pogbasë, ndërsa në vend të Moratës projektohet Zaza.

Krejtësisht ndryshe është situata për Mandzukiç e Pereyra, të cilët kanë pësuar dëmtime në kofshë dhe në ije. Për bardhezinjtë ka shumë rëndësi mendimi i stafit mjekësor dhe, për këtë arsye, gjendja e tyre është në monitorim të vazhdueshëm.

Ndërkohë, rikthehet në skuadër edhe Martin Caceres, i cili ishte i ndëshkuar nga drejtuesit e kampionëve të Italisë, pas aksidentit me Ferrarin e tij, të cilin e drejtonte në gjendje të dehur.

Top Channel