Durrës, rritet numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit

12/10/2015 00:00

Fjongoja rozë dhe muaji tetor na kujton çdo herë për vëmendjen, që duhet t’u kushtojmë kontrolleve për diagnostikimin në kohë të kancerit të gjirit.

Nga viti në vit, në Durrës vihet re një rritje e numrit të grave me këtë sëmundje, që gjithnjë e më shumë po prek ato të moshës së re.

Mbi 350 është numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit në Durrës, ndërsa prej një viti, në Spitalin Rajonal të këtij qyteti funksionon Klinika e Kimioterapisë dhe trajtimit paliativ, që ofron kushte shumë të mira për pacientet, duke shmangur kostot e larta dhe ecejaket në Tiranë.

Drejtuesja e Spitalit të Durrësit fton të gjithë pacientet, që kanë nevojë për terapi të kancerit të gjirit dhe kolon-rektalit, që t’i drejtohen këtij spitali, ndërsa vetë paciente dhe familjarë të tyre shprehen të kënaqur nga marrja e shërbimeve në Durrës.

Aktualisht, Spitali i Durrësit është në fazën e bisedimeve për të mundësuar edhe ofrimin e radioterapisë pranë këtij spitali, që do të mundësonte një cikël të plotë shërbimi për pacientet.

Top Channel